“FNSH do na ekzekutonte pa paralajmërim”! Rrëfehet familja Çapja: Si i shpëtuam terrorit të policisë (Video)

E publikuar: 09/06/2016 23:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Shtetit njoftoi gjatë pasdites së djeshme për të shtëna me armë në Elbasan në afërsi të resortit “Univers” në pronësi të familjes Çapja, e cila u sulmua në shkurt të 2016-ës duke shënuar një përleshje të përgjakshme me 3 të vrarë e 4 të plagosur. Po ashtu, policia tha se nga përleshja e mbrëmshme arrestoi 2 anëtarë të familjes dhe gjashtë persona të tjerë.

Por këtë të enjte, përmes një deklarate të gjatë të shpërndarë nga studio ligjore që po përfaqëson familja, anëtarët e fisit Çapja pretendojnë se ka qenë policia që ka nisur të qëllojë pa asnjë paralajmërim në drejtim të biznesit të tyre, ku kanë edhe shtëpitë. Sipas deklaratës, një makinë private me xhama të zinj me 4 persona civil në të, dhe një tjetër që filmonte me kamer, kanë qëlluar me armë në drejtim të tyre. Në deklaratë nuk theksohet në asnjë moment që anëtarët e familjes Çapja të jenë kundërpërgjigjur me armë, edhe pse policia sekuestroi armë të shumta që ata dispononin. Më tej në deklaratë thuhet se kanë ndërhyrë edhe forcat e FNSH-së dhe aty ka nisur terrori ndaj të gjithë pjesëtarëve të fisit, duke filluar nga fëmijët 1 vjeç, nënat e tyre e të sëmurë, të cilëve i është vënë arma në kokë.

“I është vënë nënave pistoleta në gjoks duke kërcënuar me vdekje, madje një nga personat e maskuar ka ushtruar dhunë ndaj një anëtare të kësaj familje që është e diagnostikuar me tumor në gjoks, dhe është duke kryer kimio-terapi, madje duke i drejtuar dhe një armë automatike në drejtim të gjoksit. Gjithashtu ndaj Ferit Muçës njërit nga të plagosurve të muajit shkurt i cili është dëmtuar rëndë në trup dhe ndodhet në regjim shtrati është tërhequr zvarrë nga dhoma ku ndodhej deri në oborrin e banesës së tij. Ndaj pronarit  të hotel Univers FNSH ka qëlluar drejtë për ta ekzekutuar pa paralajmërim, por fatmirësisht falë një makine që ndodhej aty pranë ai ka shpëtuar duke u fshehur, dhe plumbat kanë përshkruar makinën tip Benz ngjyrë e zezë. Veç armëve në të gjithë biznesin dhe në shtëpitë e familjes Çapja është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike duke filluar tek fëmijët 1 vjeç e deri tek të moshuarit e kësaj familje”, thuhet në deklaratë.

Familja Çapja pretendon se nga muaji shkurt kur ka ndodhur atentati ndaj tyre, ata janë ndjerë të kërcënuar dhe rrezikuar.  Për situatën e krijuar dhe për orët e gjata që kaluan në komisariat, sipas tyre pa asnjë shpjegim të dhënë nga autoritetet, familja Çapja i kërkon trupit diplomatik të akredituar në Tiranë të ndërmarrë veprimet e duhura “përkundrejt terrorit të shkaktuar në ambientet e resortit duke i vënë në dispozicion listën emërore të të gjithë klientëve të huaj të cilët mund të dëshmojnë gjithçka ka ndodhur (mbi 25 të huaj)”.

“Sikurse pas sulmit të qëllimshëm dhe të paramenduar me armë ndaj pronarit të këtij resorti, Ardjan Çapja nga forcat e rendit, i cili nuk bëri rezistencë dhe i paarmatosur, ky i fundit lihet për një kohë të gjatë pa ndjenja i shtrirë në tokë nga gjendja e shokut ndërkohë që forcat e rendit e zhvishnin dhe mblidhnin gëzhojat  të qëlluara  nga  po vetë armët e tyre për të zhdukur provat. Pamjet e kësaj ngjarje janë të filmuara nga kamera amatore të shumë klientëve prezent në ato momente. Disave prej tyre nën kërcënimin e armëve i janë thyer aparatet smartphone gjatë regjistrimit. Çdo klient prezent në bar një pjesë e mirë të shoqëruar nga fëmijë është kërcënuar nën armë dhe janë detyruar me dhunë të shtrihen në tokë, shumë prej tyre e dëshmojnë këtë të fundit. Studio Ligjore Avokat Ravik Gura dhe Avokat Elona Kanapari”, përfundon deklarata.

Hetimi për këtë ngjarje i ka kaluar Krimeve të Rënda. /Gazeta Express/