FMN: Shpenzimet për veteranë dëmtojnë buxhetin për shkolla, spitale e rrugë (Video)

E publikuar: 06/06/2016 23:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Numri i madh i veteranëve ka shqetësuar jo vetëm institucionet vendore. Me vëmendje të shtuar këtë proces është duke e përcjellë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, me të cilin qeveria kishte një marrëveshje për një numër shumë më të vogël.

Përfaqësuesi i përhershëm i kësaj organizate në vendin tonë, Ruud Vermeulen, në një intervistë për KTV-në, ka thënë se po pret nga qeveria që të gjejë një zgjidhje për këtë çështje, pasi të njëjtit kanë edhe shumë benificione, transmeton Koha.net.

“Për herë të parë, prisnim që do të kishte 20-25 mijë veteranë e jo më shumë.
Njëkohësisht, kur pensionet filluan të zbatohen në tetor, prisnim që nuk do të ketë më shumë se 3 mijë veteranë, të cilët do të marrin pensione. Por sot, numri është rritur për 20 mijë më shumë sesa në tetor. Shpenzimet tani do të jenë më të mëdha dhe pa reforma do të jenë të pamundura. Rritja e shpenzimeve mund të shkaktojë shkurtime në ndërtime të shkollave e spitaleve ose rrugëve”, tha Vermulen.

I njëjti ka një propozim se si në fakt mund të ndryshohet një situatë e tillë.

“Skema aktuale u mundëson veteranëve shumë të rinj, të cilët janë në gjendje të punojnë, që të marrin pensione për tërë jetën dhe kjo i dekurajon ata nga gjetja e një pune ose nga ruajtja e asaj që e kanë. Mendojmë se reforma do të jetë mundësi edhe për qeverinë që të përmirësojë dizajnin dhe bilancin në këtë skemë të pensioneve. Duhet të diskutojmë me qeverinë se si ta tejkalojmë këtë pasi të shqyrtohet buxheti. Ne po kërkojmë të bashkëpunojmë me qeverinë jo vetëm që ta ruajmë cakun e deficitit e që është 1.6% e GDP-së, por edhe të ruajmë strukturën e buxhetit. Me këtë mendoj se do të ketë hapësirë të mjaftueshme për investime. Nuk mendoj se po kërkojmë të rrisim shpenzimet për veteranët, duke e ulur deficitin”, tha ai.

Sa i përket planit të përmendur nga qeveria për të hyrë në obligime në pjesën e dedikuar të investimeve kapitale, Vermuelen ka thënë të jetë ende duke pritur propozimet nga ekzekutivi.

Në pjesën tjetër që lidhet me marrëveshjen me FMN-në, ai ka deklaruar se qeveria ka respektuar të gjitha kushtet e marrëveshjes deri më tani, ndërsa ka thënë se ky institucion do të vazhdojë të mbështesë projektet për investimet kapitale.