Koalicioni “UDS-USPE-OPS” ka dalur fitues në zgjedhjet studentore të mbajtura sot në Universitetin e Prishtinës. Në listën e rezultateve të siguruara nga Gazeta Insajderi, ky koalicion renditet i pari me gjithsej 5439 vota.
Kryetari i organizatës Unioni Demokratik i Kosovës, Arbër Gecaj, premtoi se do t’ia ruajë dinjitetin përfaqësimit studentor.
“Këto zgjedhje studentore treguan edhe një herë kulturen studentore. Ne i urojmë të gjithë studentet për përmbyllje të këtij procesi dhe shprehim mirënjohje për besimin e dhënë. Zotohemi se do t’ia ruajmë dinjitetin përfaqësimit studentor. Për ne është privilegj dhe ndër i veçantë të jemi zëri i studenteve të UP-së”, tha kryetari i organizatës UDS, Arbër Gecaj për Insajderin.
Aktivistja nga organizata ‘UDS’, Blendina Veliqi ka thënë për Gazetën Insajderi se bashkë me studentët do ta bëjnë ndryshimin në UP.
“Falënderojme 5571 studenteve të cilët na besuan dhe besimin e tyre e kthyen në votë ndaj nesh. Tash e tutje ne do të jemi në shërbim të secilit student i cili është pjesë e Universitetit. Së bashku mund ta bëjmë ndryshimin që duam në UP duke u bërë zëri që meriton secili student”, tha Veliqi.
E dyta në listë është organizata “Studim Kritik Veprim” me 3327 vota. E treta është “Reforma” me 2642. Organizata “Paqja Studentore” radhitet e katërta me 839 vota. Dhe e fundit është “ISP” me 179 vota.















