Pas kritikave te shumta te adresuara ndaj tij për heshtjen e dyshimeve mbi tentativën për sulme terroriste në Liqenin e Badovcit, ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni ka folur rreth rastit, pas një ushtrimi policor të njësisë speciale që u mbajt sot në Kampin “Vrella” në Sllatinë
Hyseni ka thënë se Qeveria dhe organet e sigurisë nuk kanë informacione për kërcënime serioze apo rrezik të madh nga grupe të caktuara terroriste të ndërlidhura me ISIS-in.
Megjithatë, ai ka ftuar trupat e njësisë speciale të jenë të gatshme për çfarëdo situate, në të cilën mund të ndodhet Kosova duke theksuar se po jetojmë në një kohë trazirash në mbarë botën dhe kërcënime nga grupe ekstremiste si në mbarë botën ashtu edhe në Evropë, shkruan Koha.
Ai hodhi poshtë te gjitha dyshimet për helmimin e ujit. Ndërsa tha se të gjitha veprimet e fundit të ndërmarra, përfshire shtimin e masave të sigurisë janë në kuadër të preventivave për çfarëdo situate të mundshme.
Ai iu është përgjigjur edhe kritikave për heshtjen e tij ndaj rastit të Badovcit duke thënë se ka komunikuar përmes policisë.
“Nuk është as e ndershme e politikisht korrekte të flasim kur rasti është duke u hetuar nga Prokuroria”, ka thënë Hyseni.