Flet gruaja e Shukriut, Tefta Xhelili: Me Shukriun deri në vdekje (Video)

E publikuar: 16/05/2016 22:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tefta Xhelili, bashkëshortja e Shukri Xhelilit flet për herë të parë pas publikimit të videos së bashkëshortit. Por, ajo thotë se do qëndrojë me burrin e saj deri në vdekje.

Bashkëshortja i drejtohet për herë të parë edhe vajzës që realizoi videon dhe thotë se atë e kanë përdorur për qëllime të tjera.

“Duke qenë një bashkëshort model, një prind i përkushtuar, një gjysh model, kurrsesi nuk do të bija pre e këtyre maskaradave. Fokus nuk ka qenë familja, por bashkia dhe për këtë jam mëse e bindur”, shprehet zonja Tefta.

E pyetur nga Top Channel se si e kishte pritur ngjarjen, Tefta Xhelili thotë se nuk ka menduar asnjëherë që të divorcojë bashkëshortin e saj duke përgënjeshtruar të gjitha informacionet që u dhanë menjëherë pas publikimit të videos.

Gruaja e ish-kryebashkiakut, është e vetmja nga familja e saj që po flet publikisht për ngjarjen. Për Top Channel, ajo thotë se edhe familja e saj, dy djemtë dhe nuset e tyre kanë të njëjtin mendim me të. Në qendër të këtij, sulmi thotë Tefta Xhelili, nuk ishte familja ime, por Bashkia e Dibrës. Por, çfarë mendon ajo për vajzën që realizoi filmimin.

“Një gjë do t’i them vajzës dhe familjes së saj: Ajo është viktimë në këtë ngjarjes, pasi pas saj fshihet një dorë më e fortë”, shprehet bashkëshortja e Shukri Xhelilit.

Ndërkohë, të afërm të vajzës së përfshirë në skandalin e videoregjimit thonë se ndjehen të kërcënuar dhe se kanë ndërmend të largohen nga Peshkopia.

Tefta Xhelili, thotë se ajo vetë i ka kërkuar të gjithë të afërmve, miqve dhe atyre që e kanë mbështetur gjatë këtyre ditëve që të mos bien pre e provokimeve.