Gazetarja dhe publicistja Flaka Surroi e ka kritikuar ashpër presidenten Vjosa Osmani për sulmet e fundit ndaj mediave.
Ajo ka vlerësuar se statusi i shefes së shtetit ku ankohet ndaj mediave ishte skandaloz.
Në një opinion të saj botuar në Koha, Surroi ka numëruar pretendimet e pabazuar të presidentes ndaj gazetarëve.Statusi i Osmanit qe skandaloz. Duke nisur nga toni. E më pas nga përdorimi i shprehjes “të ashtuquajturit gazetarë” (qëkur kryetarja e shtetit ka kompetencën për t’i klasifikuar profesionet e kujtdo qoftë?), për të kaluar në linjën e viktimizimit dhe kinse sakrificës së madhe që i ka dërguar fëmijët në shkollë publike, me policë, të cilët me prezencën e tyre e kanë zbuluar vendqëndrimin e vajzave (të cilin supozohet se nuk duhet ta dijë askush, se mund t’i kidnapojë dikush) dhe për të përfunduar me akuzën “pse nuk merreni me të tjerët, e pomerreni me kryetaren dhe familjen e saj”, mbase duke “harruar” se Kosova e ka veç një shef të shtetit, që ka ardhur në pushtet duke i kritikuar krejt ato që qe pesë vjet i zbaton vetë”, ka shkruar ajo, duke komentuar vlerësimet e Osmanit për shkollën publike ku i kishte deri me tani vajzat.
“E tash, nëse gjendja e shkollës, siç e përshkruan Osmani është aq e tmerrshme, pse i paska mbajtur pesë vjet në atë objekt shkollor, pra? Anuk ka mundur, teorikisht, tërheqja e vajzave të saj prej aty të ishte veprim proteste që do të kishte peshë dhe do të ishte shenjë alarmi për Komunën e Prishtinës që të ndërmerrte masa urgjente sanimi të gjendjes. Fakti se e kanë ndërruar vendbanimin, nuk do mund të qëndrojë si arsyetim i fuqishëm për ndërrimin e shkollës, ngase vajzat edhe ashtu transportohen me vetura zyrtare në shkollë. E për t’i shmangur vonesat, policët përherë mund t’i përdorin sirenat, siç edhe bëjnë sa herë që Osmani del me veturë nëpër qytet”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.


















