vakcina_pfizer
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se tashmë pandemia e koronavirusit ka mbaruar, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu thotë se është pranë përfundimit, edhe pse nuk e ka shpallur zyrtarisht.
Por nuk janë të këtij mendimi dy njerëzit që kanë ndihmuar në krijimin e një prej vaksinave më të përdorura për të luftuar pandeminë, Pfizer BioNTech. Dr. Ugur Sahin dhe bashkëshortja e tij, Özlem Tureci, thanë se po punojnë për një vaksinë të re, që do të ofrojë më shumë imunitet, që do të zgjasë edhe më shumë, kundër koronavirusit.
Në një intervistë për gazetën amerikane “Boston Globe”, ata theksojnë se pandemia nuk ka mbaruar, pasi ende po shihen variante të reja në qarkullim. “Ky virus do të qëndrojë me ne për shumë vite dhe jemi ende në fazën e shpërthimit të virusit”, tha Shahin. “Kështu që të gjitha parashikimet që pandemia do të mbarojë shpejt, thjesht nuk janë të vërteta”.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Shqipëri janë kryer 2 970 380 vaksinime antiCovid, të ndara në mbi 1,3 milionë doza të para, mbi 1,2 milionë doza të dyta dhe mbi 360 mijë të treta. Në vendin tonë zyrtarisht figurojnë të prekur me Covid-19 rreth 331 mijë persona, ndërsa numri zyrtar i vdekjeve është 3589. Sipas “Our World Data” në botë janë dhënë 12,8 miliardë doza vaksine, ndërsa 4,96 miliardë njerëz (63% e popullsisë botërore) figurojnë të vaksinuar plotësisht.
Sipas “Boston Globe”, BioNTech ka arkëtuar rreth 21 miliardë dollarë nga shitja e vaksinave në vitin 2021 dhe mendohet të arkëtojë 15-20 miliardë të tjera gjatë vitit 2022. Edhe pse parashikimet për shitjet në vitin 2023 janë për ulje të numrit të dozave, BioNTech po dyfishon sasinë e prodhimit të vaksinës së re të përmirësuar.