Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur pas procesit të djeshëm zgjedhor.
Në një interviste ekskluzive për IndeksOnline, e para e vendit ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për maturinë e treguar.
“Ka qenë një proces shembullorë që edhe njëherë e ka dëshmuar fuqinë e demokracisë në Republikën tonë”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, rezultati i 28 dhjetorit do t’i hap rrugë krijimit të shpejtë të institucioneve të Kosovës.
“Është një qartësi në rezultat që do të bëjë edhe me të lehtë krijimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, e që fatkeqësisht nuk u arrit që të krijohen në vitin që po e lëmë pas. Është në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj që të kemi sa më parë një parlament funksional që mund të marrë vendime në interes të qytetarëve”, ka thënë ajo për IndeksOnline.
Pas rezultati zgjedhor të 28 dhjetorit, presidentja Osmani pret që të formohet edhe Qeveria me mandat të plotë dhe pa kompetenca të kufizuara.
“Sepse ka shumë procese të rëndësishme para nesh, duke filluar nga ato të brendshmet. Duhet të vazhdojmë që të fuqizojmë vendi edhe në kontekstin ekonomik dhe në atë të studimit të ligjit, por edhe në proceset ndërkombëtare që kanë të bëjnë me integrimin euro-atlantik të Kosovës. Kjo varët shumë nga konstituimi i plotë i institucioneve”, ka thënë Osmani.
E para e vendit pret lajme të mira për Kosovën gjatë vitit 2026.

















