Fitore me goleadë për Barçën dhe Atl. Madrid

E publikuar: 17/01/2016 23:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Barcelona nuk përmbahet me Messin, Neymar dhe Suarez.

Formacioni i Luis Enriques e pati gjithçka të lehtë ndaj Athletic Bilbaos në Camp Nou, ku spektakli nisi me reklamimin e Topit të pestë të Artë të fituar nga Lionel Messi. Kampionët në fuqi të Spanjës triumfuan 6-0, por rezultati dhe rrjedha e lojës u kushtëzuan nga ndëshkimi me karton të kuq i portierit Gorka Iraizoz që në minutën e katërt pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Suarez. Lionel Messi goditi saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i hapur rrugë goleadës së katalanasve. Dominimi i Barçës u konkretizua me golin e dytë në minutën e 31-të me autor Neymar, i asistuar në këtë rast nga Suarez.

Në pjesën e dytë si rrallë herë Messi nuk doli në fushë për t’u zëvendësuar nga Arda Turan. Vetam pak çaste pas fillimit të këtij fraksioni Neymar nxorri të lirë Suarezin që i vetëm përballë portierit i çoi shifrat në 3-0. Rakitic në të 62-ën shfrytëzoi një tjetër pasim të saktë të Neymar për golin e 4-0, ndërsa Suarez shënoi edhe 2 herë të tjera për rezultatin final 6-0.

Atletico e Madridit nuk bëri bllof në fushën e Las Palmas, ku mundi ta gjente 3 herë rrugën e rrjetës. Në pjesën e parë për formacionin e Diego Simeones shënoi Felipe Luis, ndërsa në pjesën e dytë Antoine Griezman realizoi një dygolësh, i asistuar në të dy rastet nga Koke.