Fitore e “çmendur” e Rossit në Montmelo

E publikuar: 05/06/2016 17:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Garë e cmendur e Valentino Rossit në Montmelo. Piloti italian i Yamahas realizoi një përmbysje të madhe duke fituar në mënyrë të pabuesueshme, Cmimin e Madh të Katalunjës. Nga vendi i 7-të, në të parin, Doktori bëri gjithcka në mënyrë perfekte duke lënë pas në fund Marc Marquez-in. Podiumi në garën e Barcelonës u kompletua nga Daniel Pedrosa, ndërsa një fundjavë tërësisht për t’u harruar për pilotin tjetër të Yamahas, Jorge Lorenzo, i cili përvec se kishte një ritëm të ulët në Montmelo, disa xhiro përpara fundit u godit nga prapa nga Andrea Iannone, duke dalë jashtë piste. Vendi i 4-t i takoi Suzukit të Maverick Vinales, i cili gjithsesi e përfundoi garën me 24 sekonda vonesë krahasuar me Rossin.

Ndërsa zhgënjeu Andrea Dovizioso që me Ducati u pozicionua vetëm i 7-ti. Kjo ishte një nga fitoret më të bukura në karrierën time, deklaroi Vale në përfundim të garës, me Rossin që ia dedikoi fitoren spanjollit të Moto 2 Luis Salom i cili u nda nga jeta të Premten pas një aksidenti tragjik. Një sukses i arritur me meritë të plotë nga Doktori në tokën armike, pikërisht në Spanjë aty ku të gjithë prisnin fitoren e Marc Marquez. Pasi zhvilloi një garë tërësisht në ngjitje, Rossi e pa veten në një duel të ethshëm me Marquez, dhe dy xhiro përpara fundit arriti të kompletonte përmbysjen e madhe duke parakaluar për herë të fundit spanjollin e Repsol Hondas, për të bërë të tijën garën e Barcelonës. Një triumf që e ngjiti Doktorin në kuotën e 103 pikëve në vendin e tretë të klasifikimit të përgjithshëm, me 23 pikë më pak se Marquez që pas kësaj gare mori kryesimin, dhe 12 më pak se Lorenzo që renditet i dyti, rupersport.al.