Me akuza kundrejt deputetit të “Vetëvendosjes”, Fisnik Ismaili, si i biri i një “bashkëpunëtori” të Serbisë, e nisi diskutimin në Kuvend deputeti i PDK-së, Latif Gashi.
E Gashit, i dolën në krah edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi. Veseli nisi që në mënyrë cinike ta quajë Fisnik Ismajlin “Skënderbe”, ndërsa ish-kryeministri Thaçi shkoi edhe më larg duke thënë se Millosheviqi ishte mik i familjes së tyre.
Në një prononcim për “Zërin”, Fisnik Ismaili ka thënë se nuk është hera e parë e as nuk do të jetë e fundit që kjo klasë do të shpifin ndaj një personi apo ndaj familjes së tij. Ndërkohë, që analistët kanë shtuar se akuzat e anëtarëve të PDK-së nuk do të gjejnë mbështetje në popull, pasi që, sipas tyre, ka përfunduar “koha e gënjeshtrave të SHIK-ut”.
Ismaili: Shpifje për të denigruar emrin tim
Fisnik Ismaili ka thënë se pavarësisht gjithë kësaj “ofensive” ndaj tij dhe babait të tij, ata nuk ndihen të rrezikuar. Ismaili ka shtuar se kjo nuk është hera e parë që këta anëtarë të PDK-së kanë provuar që të hedhin baltë mbi familjet e dikujt vetëm për t’i denigruar ata. “Nuk është hera e parë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Latif Gashi e sorta e tyne shpifin edhe etiketojnë njerëz, zakonisht familjarë ose të afërm të personave që i sulmojnë, prandej as nuk më habiti mënyra se qysh ata e banalizuan debatin e djeshëm në atë mënyrë”, ka thënë Ismaili për “Zeri.info”.
Ai ka thënë se këto shpifje nuk ishin të reja për të. Sipas tij, kjo është mënyra e vetme që këta persona kanë gjetur për të baltosur figurën e tij. “Këso shpifje për babain tim janë ba edhe ma herët, edhe është e vetmja mënyrë që ata e përdorin për me e denigrue figurën time, duke qenë se babai im ka qenë në funksion gjatë viteve ’80, si guvernator i Bankës Popullore të Kosovës, i përjashtuar nga puna si krejt shqiptarët në vitin 1989. Kjo as nuk e bën babain tim bashkëpunëtor me Serbinë, as mik me Millosheviqin, por vazhdimisht keqpërdoret nga këta njerëz edhe propaganda e ulët e SHIK-ut, për me e etiketue një njeri i cili as nuk ishte prezent dje në sallën e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Ismaili për “Zeri.info”.
Por, a ndihet i rrezikuar Ismaili pas deklaratave dhe akuzave të tilla nga anëtarët e PDK-së? Ai thotë se nuk frikohet nga qyqarët. “Nuk është hera e parë, por as e fundit, që këta njerëz kanë veprue kështu me shumë deputetë tjerë. Unë në asnjë moment, e as babai im, nuk ndjehemi të rrezikuem nga ky grup qyqanash, duke qenë se nuk kemi asgjë për me fsheh, edhe në çdo kohë jemi të gatshëm të përballemi me këto shpifje, për të cilat këta as nuk kanë dëshmi”, ka thënë Ismaili.
Krejt në fund Ismaili ka folur edhe për ngjarjen për të cilën foli Gashi dje në Kuvendin e Kosovës, se kinse e kanë zënë babanë e tij me armë dhe të holla gjatë kohës së luftës, duke shkuar në Beograd. Ai thotë se e tëra ishte një trillim i Gashit të cilën më vonë e mbështeti edhe Nuredin Ibishi. “Latif Gashi dje ra në kundërshtim me vetveten, kur tregoi për ‘ngjarjen’ me babain tim, e cila as nuk ka ndodhë ndonjëherë. Fundja, i mbetet babait tim me e demantue këtë gjë, meqë u lakue emni im, në mungesë të ndonjë etiketimi denigrues direkt ndaj meje si person”, ka përfunduar Ismaili.
Analistët: Ka kaluar koha e SHIK-ut
Megjithatë, sado që i kanë vlerësuar të rënda këto deklarata nga anëtarët e PDK-së, analistët thonë se nuk do kenë peshë në opinion dhe se nuk besojnë që të nxisin ndonjë reagim të dhunshëm në masë. Dhe kjo vetëm për një arsye: se askush nuk i beson më SHIK-ut. “Nuk i dëgjon askush më SHIK-un. Ikën ata”, ka thënë analisti Halil Matoshi, i cili më pas ka shtuar: “Realisht ata janë abuzues dhe gënjeshtarë të mëdhenj dhe askush nuk i merr seriozisht më”, ka thënë Matoshi.
Edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë se gjuha e përdorur nga deputetët ishte e rëndë. Në veçanti akuzat e Latif Gashit në drejtim të Fisnik Ismailit dhe babait të tij. “Shpresoj dhe besoj që sulme fizike nuk do të ketë”, ka thënë Shala. “Sidoqoftë deputetët duhej të ishin më të kujdesshëm në gjuhën e tyre. Latif Gashi akuzoi Fisnikun në lidhje me babanë e tij dhe kjo ishte e papranueshme. Kuvendi nuk është vend i atyre fyerjeve dhe akuzave”, ka thënë Shala.