Firma gjermane konfirmon ofertën për një projekt energjetik në Kosovë

E publikuar: 01/07/2015 18:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndërmarrja ndërtimore “Bilfinger” nga Gjermania po konkurron për të realizuar një projekt të madh energjetik në Kosovë, njofton “Wall Street Journal”. Lajmi u bë i ditur papritur të martën nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas takimit në Berlin me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa

Merkel deklaroi se Gjermania synon të jetë përkrahëse e prodhimit të energjisë në Kosovë.

“Këtu është fjala për oferta tashmë ekzistuese të Bilfingerit, që eventualisht të modernizohet një termocentral dhe kështu të përgatitet stabiliteti më i madh në furnizimin me energji”, tha kancelarja gjermane.

Një zëdhënës i firmës “Bilfinger” ka konfirmuar për “Wall Street Journal” se ekziston një ofertë e tillë, por nuk ka pranuar të jap detaje. Brenda Bashkimit Evropian Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Kosovës. Në vitin 2014 eksportet nga Gjermania në Kosovë, sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, kanë arritur në 152,9 milionë euro; një vit më parë, më 2013, Gjermania eksportoi në Kosovë për 135,5 milionë euro, raporton “Dialogplus.ch”.

“Bilfinger” është një kompani e madhe ndërtimore gjermane me 69 mijë punëtorë dhe ka realizuar projekte në disa vende. Gazetat gjermane kanë njoftuar së fundi se “Bilfinger” dyshohet të jetë i përzier në një skandal korrupsioni në Brazil. Kjo kompani thuhet se u ka paguar zyrtarëve të FIFA-s dhe politikanëve lokalë në Brazil më shumë se 20 milionë euro ryshfet për të siguruar realizimin e një projekti të madh ndërtimor.

Në termocentralin e Obiliqit tashmë është i angazhuar përfaqësuesi i firmës “Bilfinger”, Volker Harzbecker. Së fundi ai i ka deklaruar gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se termocentralet kosovare janë “bomba të kurdisura në mes të Evropës”.

Qëllim i tij, ka thënë Harzbecker, është që këto bomba t’i çmontojë dalëngadalë dhe t’i bëjë të parrezikshme.

“Plani i gjermanëve parasheh që blloqet e vjetra të zëvendësohen hap pas hapi me njësi tepër efikase dhe ambient mbrojtëse, pra një sanim komplet. Ndërkohë qeveria koncentrohet që pranë termocentraleve ekzistuese të ndërtohet një termocentral i ri, Kosova C”, shkruante në fillim të marsit “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Kosova është vendi i katërt në botë me rezerva të thëngjillit. Llogaritet se në sipërfaqen afër termocentraleve gjenden rreth 12 miliardë tonelata, të cilat premtojnë një siguri me furnizim për disa shekuj.

Sipas gazetës gjermane “thëngjilli kosovar ka vlerë të lartë dhe mund të eksploatohet aq lehtë, saqë edhe personat privat shërbehen me lopata. Ana tjetër e medaljes është ndotja e ambientit”. Përfaqësuesi i firmës “Bilfinger” Volker Harzbecker thotë: “Kosova A është ndër termocentralet më të ndotura në botë”.

Derisa pala gjermane po angazhohet në sanimin total të termocentraleve në Obiliq, autoritetet e Kosovës kanë hapur rrugën për ndërtimin e një termocentrali të ri me dy blloqe dhe me kapacitet prej 330 megavat për bllok.

Mediumet në Kosovë kanë shkruar se në kundërshtim me ligjet e vendit për realizimin e projektit është lajmëruar vetëm një ofertues: ndërmarrja nga New Yorku “Contour Global”. Ajo pret që ndërtimi i termocentralit të ri të kushtojë 1,4 miliardë euro. Dy të tretat pritet të vijnë nga kreditë, për të cilat Banka Botërore ka dhënë garanci të pjesshme.

Edhe nëse vendimi për ndërtimin e “Kosovës C” merret së shpejti, ky termocentral mund të prodhojë energji tek në vitin 2021. Aktivistë për mbrojtjen e ambientit në Kosovë e kritikojnë këtë projekt dhe kërkojnë që Kosova të investojë në energji të ripërtërishme.