Dokumentat e Panamasë ka të ngjarë të sjellin ndjekje të reja penale të personave të akuzuar për financim të grupeve terroriste, dhe të nxisin presionin politik për të shtrënguar rregullat financiare në Shtetet e Bashkuara. Përpjekjet për të bllokuar financimet e terrorizmit thuhet se kanë filluar të jenë më të efektshme, por ato po shkaktojnë në të njëjtën kohë dëme anësore.
Sulmet terroriste kërkojnë para për eksplozivë, udhëtime dhe armë. Bllokimi i fondeve për grupet ekstremiste është çelësi i pakësimit të kërcënimit të tyre.
Terroristët kanë përdorur disa kompani të regjistruara në Panama për të lëvizur fshehtazi para përmes firmave me pronësi të fshehtë dhe ekspertët thonë se dalja e informacioneve mund të nxisë përpjekje për ndjekje të reja penale.
“Nga Dokumentat e Panamasë dime se kishte organizata terroriste që kishin regjistruar kompanitë e tyre fiktive atje – Hezbollahu përshembull,” thotë Eric Lorber i firmës Integriteti i Rrjetit Financiar.
Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve po dëgjon dëshmi mbi financimet e terrorizmit.
Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thanë se janë në dijeni të raporteve të reja dhe po rishikojnë informacionet.
Ish-senatori amerikan Carl Levin tha se rregullat më të forta që kërkojnë nxjerrjen e pronësisë së kompanisë do të ndihmonin në ndalimin e financimeve të terroristëve.
Në një artikull në gazetë, ai u tha zyrtarëve të mos humbasin mundësinë politike të nxitur nga zemërimi publik mbi skandalin.
Anëtarja e Komisionit të Senatit për Bankat Elizabeth Warren i bëri thirrje gjithashtu Departamentit të Thesarit të bëj hetime.
Ekspertët thonë se rregullat më të rrepta e bëjnë më të vështirë për të lëvizur paratë për operacionet terroriste, kështu që terroristët lëvizin me metodat më të vjetra, por më të vështira për t’u kapur.
“Ndjekja është e vështirë. Paratë që lëvizin në Mogadishu apo në Teheran mund të lëvizin me valixhe apo duke i fshehur në Panama. Ky është shqetësimi kryesor për ata që luftojnë financimin e terrorizmit,” thotë analisti i Institutit Enterprise, Michael Rubin.
Por organizatat bamirëse të ligjshme që grumbullojnë fonde për njerëzit në vendet e shkatërruara nga lufta po shohin banka që po mbyllin llogaritë e tyre papritur, duke e bërë të vështirë të paguajnë punonjësit apo shpenzime të tjera.
“Ka shkuar në pikën ku shumë organizata bamirëse myslimane në SHBA që punojnë në mbarë botën janë pranë falimentimit,” thotë presidenti i firmës Interaction, Sam Worthington.
Rreziku i lartë dhe fitimet e ulta i bëjnë bankat të hezitojnë për të bërë biznes me organizata që punojnë në zona konflikti.
Bankat bëjnë shumë pak fitim nga llogaritë relativisht të vogla të organizatave bamirëse dhe në disa raste kanë paguar gjoba të mëdha për shkelje të sanksioneve.
Kjo është e gjitha pjesë e një fushë beteje financiare.