Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku ka folur pas kalimit të klubit kryeqytetas në finalen e madhe të Kupës së Kosovës.
Prishtina ka arritur në finale të Kupës së Kosovës pasi ka eliminuar Drenicën me rezultat përfundimtar 6:2.
Kjo është finalja e 10-të për Prishtinën në Kupën e Kosovës, ndërsa e para për Armend Dallkun si trajner.
“Viti i parë, finalja e parë, ndoshta nuk e kam pritur në fillim, por në bazën e asaj se si është shfaqur ekipi, gjithmonë në rritje e sipër, normalisht që kam filluar të besoja dhe tani ky besim u bë realitet”, ka thënë fillimisht Dallku për faqen zyrtare të klubit.
“Jemi në finale të cilën gjithmonë e kemi potencuar se aty duam të gjendemi. Tani të gjitha forcat tona do të jenë të përqendruara në kampionat”.
Festa e lojtarëve të Prishtinës pas golit të Leonit Abazit(Foto: FC Prishtina/Facebook)
“Sa për ndeshje, ndoshta dikush nuk e ka pritur, por ne pavarësisht rezultatit nuk e kemi lejuar kundërshtarin që të na rrezikonte, sidomos në pjesën e parë, sepse kjo pjesë ishte shumë e rëndësishme, sepse në rastin më të keq sikur të pësonim gol do të hynim në presion. Kështu që vendosëm presing të lartë duke mos i lejuar kundërshtarit asnjë mundësi”.
“Ndërsa në pjesën e dytë e menaxhuam lojën duke i dhënë njëkohësisht mundësi dy futbollistëve nga shkolla, Zhurit -ndeshjen e dytë dhe Dushit – debutimin, të cilëve iu uroj të gjitha të mirat në karrierë”, përfundoi trajneri i Prishtinës.
Ndryhe, Dallku sot e ka udhëhequr skuadrën në ndeshjen e 25-të dhe që në vitin e tij të parë në krye të klubit më të madh në vend ka siguruar finalen e Kupës.
Dallku në 25 ndeshje (20 kampionale dhe 5 për Kupë) ka arritur 18 fitore, 4 barazime dhe vetëm 3 humbje me goldallim +40, 55:15.