Filmi për Oscar me ushtarë të vërtetë që morën pjesë edhe në luftën e Kosovës

E publikuar: 04/01/2016 11:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Filmi i quajtur “A War”, është një film për konfliktin në Afganistan, por me një ndryshim mjaft të rëndësishëm nga filmat e tjerë për luftën.

“A War” tregon historinë e një komandanti danez që i udhëheq ushtarët e tij, shumica prej të cilëve janë ushtarë të vërtetë, raporton BBC. Ushtarët që marrin pjesë në këtë film kanë shërbyer në luftëra të ndryshme, si në Afganistan, Irak dhe Kosovë, transmeton Koha.net.

“Ata i kanë dhënë aq shumë filmit. Ushtarët ishin të mrekullueshëm dhe më bënë që të ndjehem si amator gjatë çdo pjese të xhirimit për çdo ditë”, është shprehur aktori kryesor i filmit, Pilou Asbaek.

Asbaek është shprehur se përfshirja e ushtarëve i ka dhënë filmit një nivel tjetër të autenticitetit, ndërsa ka stërvitur rreth tre muaj për këtë film.

“Mundohesh ta mbash armën saktë, mundohesh të ecësh saktë, çdo lëvizje mundohesh ta bësh pa gabime dhe më pas shikon para teje që ke përballë këta djem që e kanë bërë këtë për 15 vjet në Afganistan, Kosovë e Irak”, është shprehur Asbaek.

“A War”, apo “Krigen” në gjuhën daneze, për regjisor ka skenaristin-regjisorin danez Tobias Lindholm. Filmi është konkurrent për Oscar, në garën për filmin më të mirë të huaj.