Ministria e Financave ka njoftuar se ka filluar me angazhimin ekipeve mobile për qëllim të lajmërimit të pensionistëve në dhe mbi moshën 85-vjeçare, nëpër shtëpitë/banesat e tyre, në regjionin e Prishtinës.
Ky shërbim ka filluar të zbatohet fillimisht në regjionin e Prishtinës (Komuna e Prishtinës, Fushë Kosovës, Drenasit, Lipjanit, Podujevës, Obiliqit dhe Graqanicës), si pilot-projekt, për të vazhduar më pastaj edhe në regjionet dhe grup moshat më tjera.
Paraqitja e kërkesës për këtë shërbim bëhet në adresën elektronike [email protected] dhe është e kufizuar vetëm për pensionistët që janë në apo mbi moshën 85 vjeçare, janë pensionistë të regjionit të Prishtinës dhe kërkesa është paraqitur së paku shtatë ditë para datës kur pensionisti duhet të lajmërohet fizikisht pranë zyrave të Departamentit të Pensioneve.
Kërkesa mund të paraqitet individualisht nga pensionisti apo nga çdo preson tjetër që e bën në emër të pensionistit. Kërkesat e tilla janë vlefshme vetëm nëse konfirmohet pranimi i shkresë elektronike, përndryshe kërkesa duhet të përsëritet.
Në kërkesë pensionistët duhet të paraqesin të dhënat si në vijim:
a) emri dhe mbiemri i pensionistit;
b) numri personal i pensionistit;
c) numri i telefonit të pensionistit (nëse ka – preferohet numër i mobilit);
d) numri i telefonit të një personi të afërt të pensionistit; dhe
e) adresa e banimit të pensionistit dhe përshkrimi shtesë lidhur me adresën.
Pensionistit do t’i konfirmohet që kërkesa është pranuar, dhe pas verifikimit të të dhënave sipas kritereve të përcaktuara më lartë do të njoftohet për realizimin e vizitës përafërsisht 24 orë më herët, përfshirë këtu edhe ditët e vikendit.
Pensionistët të cilëve nuk ju aprovohet kërkesa për shkak të mos plotësimit të kritereve, duhet të vazhdojnë të paraqiten për lajmërim tek zyrat e pensioneve.