Fillon inspektimi i objekteve për marrjen e masave parandaluese të mbrojtjes nga zjarre – disa s’kanë plotësuar standardet

E publikuar: 20/03/2025 18:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave me mbështetjen e Policisë së Kosovës ka filluar me inspektime në subjekte afariste ku ka frekuentim të lartë të qytetarëve, me qëllim të monitorimit të respektimit të masave parandaluese të mbrojtjes nga zjarri, shkruan InfoSot.

Nga këto inspektime të cilat tashmë janë realizuar në Prishtinë dhe Pejë dhe do të zhvillohen në vazhdimësi në gjithë Republikën e Kosovës, është konstatuar se në disa subjekte nuk është plotësuar standardi i sigurisë rreth masave për mbrojtje nga zjarri me ç’rast është dhënë afati për plotësimin e kërkesave ligjore për ambiente të sigurta për qytetarët.

Ndryshe në një postim në Facebook, Sveçla ka thënë se në rast të mosrespektimit të sigurimit të masave brenda afatit të dhënë kohor, do të ndërmerren masa më të ashpra, të menjëhershme dhe pa asnjë kompromis ndaj subjekteve afariste.

“Mbrojtja e jetës së qytetarëve është prioritet dhe nuk do lejojmë të rrezikohet në asnjë formë”, ka shkruar Sveçla.

Ndërkaq këto inspektime intensive vijnë, pasi një javë më parë në Koçan të Maqedonisë së Veriu, ndodhi një tragjedi.

Në orët e hershme të mëngjesit të 16 marsit, një zjarr i madh përfshiu një diskotekë në Koçan ku mbetën të vdekur të paktën 59 persona kurse u lënduan qindra persona.