Një prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, tha të mërkurën se punimet në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, për hetimin e një varreze të mundshme, “po zhvillohen me urdhëresë të Prokurorisë Speciale”.
Blakaj tha se punimet do të vazhdojnë deri në përmbylljen e plotë të rastit, duke mos saktësuar afatin kohor të tyre.
“Dyshohet për disa koordinata”, tha Blakaj për punimet në disa pjesë të kampusit të Universitetit të Prishtinës, njëra nga të cilat në afërsi të Kishës brenda Kampusit.
Departamenti i Mjekësisë Ligjore nisi të mërkurën në mëngjes gërmimet afër Kishës Ortodokse Serbe që gjendet në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
Gërmimet kanë të bëjnë me dyshimet për ekzistencën e varrezës masive nga periudha e luftës.
Sipas drejtorit të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka dyshime se bëhet fjalë për viktima të përkatësisë shqiptare.
Përfaqësuesi i familjarëve të personave të zhdukur, Bajram Qerkinaj, tha se punimet në këtë “varrezë të dyshuar po bëhen pas informacioneve të dëshmitarëve” dhe njëkohësisht theksoi se “për familjet e të zhdukurve, zbardhja e fatit të familjarëve të tyre është me rëndësi të madhe”.
“Unë si familjar jam i zhgënjyer, jam i prekur dhe i mërzitur sepse pas 17 vjetëve në Kosovë, në qendër të Prishtinës gërmohet. Nuk mund të thuhet se për sa viktima bëhet fjalë dhe kushdo që flet për numër gabon shumë. Dyshimet e dëshmitarëve duhet të shlyhen dhe a punohet sot apo edhe një javë nuk e dimë sakt”, tha Qerkinaj.
Në procesin e gërmimeve në këtë zonë po merr pjesë edhe një delegacion nga Serbia.
Është paralajmëruar se gërmimet me mjete të rënda do të zgjasin fillimisht dy ditë dhe nëse gjenden mbetjet mortore, atëherë do të vazhdohet me forma tjera të gërmimeve për t’iu përshtatur punimeve. (REL)
















