Siguria ushqimore ishte sërish në qendër të vëmendjes të emisionit “Fiks Fare” mbrëmjen e së hënës. Gazetarët dhe bashkëpunëtorët e “Fiksit” kanë dokumentuar me zë dhe figurë një tjetër rast korrupsioni, ku inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) kërkojnë 20 mijë lekë për të zhbllokuar një aktivitet.
Një tregtar peshku në qytetin e Kamzës u ka dhënë 20 mijë lekë ryshfet inspektorëve, me qëllim që ta lejonin të ushtronte aktivitetin. Gazetarët e “Fiks Fare” mësuan se AKU-ja kishte bllokuar një dyqan peshku në zonën pranë Institutit Bujqësor në Kamzë. Më pas, tregtari kishte tentuar disa herë të zhbllokonte aktivitetin, por nuk ia kishte arritur.
Përballë kësaj “barrikade”, ai iu drejtua emisionit investigativ “Fiks Fare”. Sipas tij, inspektorët e AKU-së shkonin vazhdimisht pranë dyqanit të tij dhe e mbyllnin me pretekstin e mosplotësimit të kushteve. E gjithë kjo, sipas tij, ndodhte se ata donin ryshfet, për ta lënë të qetë të punonte.
Në pamundësi për të paguar ryshfetin ndaj këtyre inspektorëve, kërkoi ndihmën e “Fiks Fare”. Pas bllokimit të aktivitetit, inspektorët i kishin lënë disa detyra për dyqanin. Tregtari plotësoi disa kushte dhe kërkonte një marrëveshje me AKU-në që të vazhdonte të shiste peshk.
Tregtari shkon fillimisht në zyrat e AKU-së në Tiranë për të takuar drejtorin. Ditën e parë, nuk arrin ta takojë. Ditën e dytë, në pritje për të takuar drejtorin, i afrohen dy inspektorë dhe bën një bisedë me ta për zhbllokimin e aktivitetit. Në këtë zyrë, ai takon tre inspektorë. Atyre u thotë se ka hequr raftin që i kishin thënë dhe çdo gjë e ka sipas ligjeve dhe rregullave.
Ndërkohë, një inspektor tjetër i thotë se do t’i shkojnë në biznes. Tregtari i përgjigjet se do ta sistemojë dyqanin, ta ketë “gati” kur ata të shkojnë për ta kontrolluar. Një nga inspektorët e mëson si ta sistemojë. “Sistemoje kështu, pastaj prapë, ndonjë lekë po të them”, i thotë ai tregtarit.
Ky i fundit e pyet se sa është pagesa. Inspektori i përgjigjet se “shih e bëj sa të kesh terezi. Sa ta kesh terezinë, që edhe na ta zhbllokojmë”. Tregtari u thotë inspektorëve se “të ishte për kafe, e kisha dhënë që në fillim. Se kuptova”. Më pas, inspektori ironizon me përgjigjen e tregtarit, duke i thënë se “ku jeton, në Gjermani? Hajt se do folim”.
Më pas, inspektori i thotë gjatë bisedës se tolerime bëjnë, por kanë frikë se shumë vetë kanë shkuar në prokurori. I thotë se dyqanet e tjera të peshkut janë grirë me gjoba, që shkojnë deri në 3 milionë lekë. Madje, një nga inspektorët i thotë tregtarit se Gjykata Administrative jo gjithmonë i fal gjobat.
“Vëni ndonjë kafe, unë nuk dua fare. Veja ndonjë kafe e dërgojmë inspektorët. Sa ta merr mëndja. S’të jap shifër fare, sa të jep dora ty. Kaq”, i thotë inspektori. Më pas, inspektori dhe tregtari, lënë një takim për të dhënë lekët.
“Fiks Fare” dokumentoi me pamje edhe takimin mes inspektorit dhe tregtarit në një kafene. Pas këtij takimi, ata takohen te parkimi i makinave. Në këtë vend, duket mjaft qartë që tregtari i jep 20 mijë lekë të reja një prej inspektorëve.
/ Top Channel