Figo: Zidane dëshiron stolin e Realit

E publikuar: 26/12/2015 16:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zinedine Zidane ndihet i gatshëm për të marrë drejtimin e Realit të Madridit.

Këtë e konfirmon ish mesfushori i klubit “Merengues”, Luis Figo, i cili ka një miqësi të gjatë me francezin që aktualisht ndodhet në stolin e skuadrës B të Realit. Në një intervistë dhënë për mediat spanjolle, luzitani thekson se objektivi i Zidane është që një ditë të drejtojë ekipin e Realit të Madridit. “Benitez? Te Reali nuk ke kohë për të treguar veten, duhet të fitosh menjëherë përndryshe gjërat nuk shkojnë ashtu siç i kishe parashikuar dhe shkarkimi nuk është i largët“, nënvizon ish mesfushori duke dhënë një tjetër dëshmi se situata e trajnerit aktual në stolin “Los Blancos” nuk është aspak komode.

Ndërkohë, Benitez është rikthyer në Madrid pasi kaloi disa ditë me familjen e tij në Angli. Ai do të përgatisë ndeshjen e radhës kundër Real Sociedad që do të luhet të mërkurën në “Santiago Bernabeu”. Në një sondazh të zhvilluar ditët e fundit nga klubi, pjesa më e madhe e tifozëve dhe aksionerëve kanë preferuar largimin e Benitez dhe zëvendësimin e tij me Zinedine Zidane. Rafael Benitez e mori drejtimin e skuadrës në fillim të këtij sezoni por rezultatet zhgënjyese në kampionat i kanë ulur ndjeshëm kuotat e tij në klub, madje sipas mediave, situata në dhomat e zhveshjes nuk është aspak pozitive.