FIFA, Chung Mong-Joon sfidon Platini

E publikuar: 17/08/2015 14:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Chung Mong-Joon, aksioneri më i madh i prodhuesit të automjeteve, Hyndai shpall zyrtarisht kandidaturën për drejtimin e FIFA-s. Biznesmeni nga Koreja e Jugut i hap sfidën favoritit për postin e presidentit, Michel Platini.

“Michel ka qenë një sportist i madh në futboll, por jemi ndeshur disa herë me të në golf dhe mund të them që nuk është ndonjë lojtar i mirë”, tha me shaka Chung, kur u pyet rreth rivalit.

Zgjedhjet për të vendosur pasardhësin e të dorëhequrit Sepp Blatter në krye të FIFA-s do të zhvillohen më 26 shkurt 2016, gjatë punimeve të Kongresit të Jashtëzakonshëm.

Platini cilësohet si kandidati që gëzon mbështetjen më të madhe, nga Europa, Azia, Afrika dhe Amerika Jugore. Megjithatë, beteja është e ashpër.

Nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Gianni Infantino, UEFA i ka kërkuar FIFA-s që të hapë një hetim, rreth asaj që cilësohet një fushatë e mirëfilltë shpifjesh ndaj Michel Platini.

Konfederata Europiane e Futbollit pretendon se ekziston një dosie anti-Platini, e cila i është dërguar disa prej gazetave më të mëdha të Zyrihut.

Dosja “Ana e errët e Platini” përmban materiale dhe prova, të cilat do të vinin në diskutim moralin e pastër të legjendës së futbollit francez.