Sepp Blatter rizgjiedhet në krye të Fifa-s, për herë të pestë. Zvicerani, kundrejt cdo parashikimi dhe vështirësive arriti të fitojë sërish zgjedhjet presidenciale duke marrë një tjetër mandat për të drejtuar qeverinë e futbollit, që ditët e fundit kishte kaluar një furtunë të vërtetë pas arrestimit nga FBI të zyrtarëve të saj.
79-vjecari, fitoi mandatin e tij të pestë, pasi kundërshtari Al Hussein u tërhoq nga gara në përfundim të votimit të parë duke lënë sërish futbollin në duart e Sepp Blatter. Zvicerani mori 133 vota në total në votimin e parë, nga 209 të mundshme duke mos arritur të sigurojë dot shumicën e nevojshme me 140 vota. Gjithsesi 133 vota ishin shumë më tepër sec ishte parashikuar, aq më tepër që në prag të zgjedhjeve presidenciale shumë Federata të mëdha kishin deklaruar votën e tyre kundër zviceranit.
Kundërshtari i tij Al Hussein, mori 60 vota më pak, 73 në total, ndërkohë që 3 rezultuan të pavlefshme. Al Hussein, pasi shyrtoi shifrat, vendosi të tërhiqet nga gara në raundin e dytë, ku Blatter do t’i mjaftonin vetëm 105 vota për të fituar sërish mandatin. Tërheqja e Princit të Jordanisë shpalli sërish Blatter fitues të zgjedhjeve presidenciale të Fifa-s, duke fituar një tjetër mandat katër vjecar, që do të jetë ndoshta më i vështiri për të.
Jo vetëm për shkak të hetimeve që po kryen nga Departamenti Amerikan i Shtetit por dhe presionit në rritje të sponsorëve, aq sa ka zëra se pas pak muajsh pikërisht financuesit e mëdhenj të Fifa-s, mund të shtyjën Blatter drejt dorëheqjes për shkak të prishjes së imazhit të tyre. Gjithsesi deri atëherë, Fifa do të jetë sërish në duart e Sepp Blatter.