FIFA mban një qëndrim zyrtar në lidhje me arrestimet e zyrtarëve të lartë të cilët akuzohen për korrupsion dhe influencim në zgjedhjet për caktimin e Rusisë e Katarit për organizimin e Kupës së Botës 2018 dhe 2022. Zëdhënësi Walter De Gregorio u kujdes që të qartësonte pozicionin e intitucionit më të lartë të futbollit, duke theksuar fillimisht se hetimi i autoriteteve amerikane do ta ndihmojë FIFA-n të pastrojë imazhin edhe pse vjen në një moment dekilat siç janë zgjedhjet presidenciale për të cilat konfirmoi se do të mbahen rregullisht.
“Të gjithë do të bashkëpunojmë me drejtësinë amerikane për ta zbardhur sa më shpejt këtë çështje. Ne jemi të interesuar që të pastrohet imazhi i institucionit nga të gjitha këto akuza. Unë nuk mund të jap emra apo numrin e të arrestuarve gjatë aksionit sepse ngjarja është në hetim. Mund të konfirmoj se Kongresi do të zhvillohet normalisht sepse hetimet nuk kanë asnjë lidhje me punimet që do të mbahen për zgjedhjen e presidentit të ri të FIFA-s”.
Një qëndrim i prerë nga ana e FIFA-s që po kalon një nga momentet më të vështira të historisë së këtij institucioni por që nuk do të ndikojë aspak tek punimet e Kongresit ku pritet që Blatter të fitojë një tjetër mandat 4-vjeçar. De Gregorio saktësoi gjithashtu se hetimet nuk do të prekin as vendimin për organizimin e Botërorit 2018 dhe 2022 në Rusi e Katar, ndërsa nënvizoi se Blatter nuk ndihet përgjegjës për skandalin.
“Përgjigjet për personat e akuzuar mund t’i japë vetëm prokuroria amerikane. Botërori 2018 do të zhvillohet në Rusi dhe ai i vitit 2022 në Katar. Përsa i përket presidentit Blatter mund të them se ai do të vihet në dispozicion të hetimeve për të hedhur sa më shumë dritë. Ai nuk është i përfshirë në këtë çështje, prandaj nuk ka arsye për të dhënë dorëheqjen. Blatter është i qetë dhe po vazhdon punën për organizimin e Kongresit. Ne dëshirojmë të vazhdojmë rrugën e nisur 4 vjet më parë dhe asgjë nuk do të na ndalojë”.
Qëndrimi zyrtar i FIFA-s mund të shkaktojë edhe më shumë tension mes aktorëve të ndryshëm në botën e futbollit pasi Blatter mbetet një nga njerëzit më të sulmuar në këtë institucion. Nga raportimet zyrtare ai mbetet nën hetim por nuk ka ende një akuzë edhe pse në të shkuarën shumë faktorë politikë apo zyrtarë të lartë të federatave kanë drejtuar gishtin e akuzës ndaj tij për mungesën e transparencës dhe shkallën e lartë të korrupsionit në institucionin që ai drejton.