FH për Kosovën: Zgjedhjet vënë në pushtet partinë nacionaliste që ka mundësi për ta ndryshuar korrupsionin

E publikuar: 04/03/2020 09:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Raporti i Freedom House edhe sivjet e radhit Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Në pjesën për Kosovën, raporti thekson se “zgjedhjet e kanë vënë në pushtet partinë nacionaliste Vetëvendosje, ku ajo ka një mundësi për ta ndryshuar kulturën e korrupsionin në vend”.

Sa i përket Serbisë dhe Malit të Zi, raporti thotë se, gazetarët e pavarur, figura të opozitës dhe ata që perceptohen si armiq të qeverisë, janë përballur me ngacmime, kërcënime dhe nganjëherë edhe me dhunë.

“Zhgënjimi i publikut me partitë qeverisëse kanë nxitur protesta të mëdha në të dyja vendet, por ato nuk arritën të sjellin ndonjë ndryshim domethënës”, thotë organizata.

Një pjesë e raportit i kushtohet edhe Maqedonisë së Veriut ku thuhet se “vendi mbajti zgjedhje konkurruese presidenciale, duke ndihmuar në riparimin trashëgimisë jodemokratike të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski”, transmeton rel.

Lidhur me situatën e përgjithshme në Evropë, raporti thotë se “parimet e demokracisë liberale në Evropë, janë vënë nën presion serioz viteve të fundit”.

“Drejtuesit dhe partitë populiste në Evropën Qendrore ruajtën ritmin e sulmeve ndaj institucioneve të pavarura gjatë këtij viti”, thuhet në raport.

Protestuesit në të gjithë botën bëjnë thirrje për ndryshime

Freedom House thotë se protestuesit në të gjithë botën bëjnë thirrje për ndryshime.

“Shpërthimi i protestave masive nëpër një sërë ambientesh politike gjatë vitit të kaluar, theksuan dëshirën universale njerëzore për liritë themelore dhe qeverisjen e mirë. Në vendet e lira, pjesërisht të lira dhe jo të lira, njerëzit dolën në rrugë të shprehin pakënaqësinë ndaj sistemeve politike ekzistuese dhe të kërkojnë ndryshime që do të çonin për rezultate më të mira, më demokratike”, thuhet në raport.

Këtu, përmenden protestat në Hong Kong, Algjeri, Bolivi, Kili, Etiopi, Indonezi, Irak, Iran, Liban dhe Sudan.

Sidoqoftë, raporti thotë se këto lëvizje shpesh ngriheshin kundër interesave të ngulitura thellë në këto vende dhe deri më tani ato nuk kanë sjellë një përmirësim të madh sa i përket lirisë globale.

“Pa mbështetje më të madhe dhe solidaritet nga demokracitë e konsoliduara, lëvizjet protestuese që kërkojnë liri dhe reforma ka shumë të ngjarë t’i nënshtrohen reagimeve autoritare”, tha nënpresidentja për hulumtime e Freedom House, Sarah Repucci.

Të dhënat nga raporti “Liria në botë 2020”

Nga 195 vendet e vlerësuara, 83 (43 për qind) u vlerësuan si vende të lira, 63 (32 për qind) pjesërisht të lira, dhe 49 (25 për qind) nuk vlerësohen të lira.

Raporti thekson se njerëzit në 64 vende pësuan përkeqësim të të drejtave të tyre politike dhe lirive qytetare në vitin 2019, ndërsa në vetëm 37 vende këto aspekte pësuan përmirësime.

Derisa vendet demokratike po tregojnë ngurrim në mbështetjen e demokracisë dhe lirisë në nivel ndërkombëtar, fuqitë autoritare kanë zgjeruar ndikimin e tyre global përmes luftërave me grupe që i kontrollojnë, ndërhyrje në zgjedhje dhe censurë përtej kufijve të tyre, potencon raporti.

“Raporti edhe një herë tregon qartë se demokracia është në rënie”, tha Abramowitz.

“Të drejtat politike dhe liritë qytetare kërcënohen në shoqëritë e lira dhe ato shtypëse. Është e mundur të ndryshohet drejtimi i këtij kursi, por kjo do të kërkojë përpjekje të bashkërenduara nga qeveritë, presion nga njerëzit dhe partneritet me komunitetin e biznesit”, tha ai.

FH: Mungesë e udhëheqjes në betejën për demokraci

Demokracia është nën sulm në të gjithë globin dhe efektet janë të dukshme jo vetëm në shtetet autoritare si Kina, Rusia dhe Irani, por edhe në vendet me një përvojë më të gjatë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.

Kështu thuhet në raportin “Liria në botë 2020”, të publikuar të mërkurën nga Freedom House – grup joqeveritar, me seli në Uashington.

Raporti gjithashtu ngrit alarmin për një minim të angazhimit të qeverive për pluralizëm – një tipar përcaktues i demokracisë liberale.

“Pakica etnike, fetare dhe grupet tjetra kanë mbajtur barrën e abuzimeve shtetërore, si në vendet demokratike ashtu edhe në ato autoritare. Mungesa e kontrollit, bën që shkelje të tilla të kërcënojnë lirinë e të gjitha shoqërive”, thuhet në raport, transmeton rel.

Dy shembujt më të spikatur në raport janë Kina dhe India.

Në Kinë, raporti thekson fushatën shumëvjeçare të regjimit për asgjësimin kulturor kundër pakicës ujgure dhe grupeve të tjera, kryesisht myslimane.

Ndërkaq për Indinë, theksohet se ka rënien më të madhe në mesin e 25 demokracive më të populluara në botë.

India për shumë kohë është parë si një kundërpeshë e mundshme demokratike ndaj Kinës autoritare në rajonin Indo-Paqësor, por shmangia alarmante e qeverisë aktuale nga normat demokratike, e mjegullojnë dallimin e bazuar në vlera midis Pekinit dhe Nju Delhit.

Shembuj të kësaj, merret revokimi i befasishëm i autonomisë së rajonit të Kashmirit me shumicë myslimane, miratimi i Ligjit diskriminues për shtetësinë si dhe shtypjen më pas të protestuesve që e kundërshtonin atë.

Raporti thekson se proceset demokratike në Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu nën kërcënim.

“Shenjat shqetësuese gjatë vitit 2019, përfshijnë ndryshimet e rregullave që dobësuan të drejtat të azilkërkuesve, dëshmitë e reja të ndërhyrjes në zgjedhje dhe përplasjet e përshkallëzuara ndërmjet organeve të ekzekutivit dhe Kongresit mbi kompetencat e tyre përkatëse”, theksohet në raport.

“India dhe Shtetet e Bashkuara janë demokracitë më të mëdha dhe mbase më me ndikim në botë dhe largimi i tyre nga idealet liberale demokratike, po dërgon pikërisht mesazhin e gabuar”, thotë Mike Abramowitz, president i Freedom House.

“Nëse fuqitë e mëdha demokratike nuk arrijnë të japin shembuj të fortë dhe të ofrojnë udhëheqje konstruktive, do të jetë e pamundur të zmbrapsen trendet globale që kërcënojnë lirinë për të gjitha shoqëritë”, thotë Abramowitz.