Federata e Futbollit të Kosovës ka marrë vendim që të përjashtojë klubet futbollistike “Ulpiana” dhe “Vllaznia Pozheran’ nga Liga e Parë e Futbollit për këtë edicion, kurse nga edicioni i ardhshëm, të dyja ekipet do t’i zhvillojnë garat në Ligën e Dytë.
Sipas FFK-së, deri te vendimi për përjashtim ka ardhur pasi ndeshja në mes të dyja ekipeve që ishte zhvilluar më 7 prill të këtij viti ishte e kurdisur.
“Bazuar në raportin zyrtar të delegatit të ndeshjes Shkelzen Jashari, evidentohet që në pjesën e dytë të ndeshjes, ekipi vendas tregoi një mungesë të qartë angazhimi në lojë, qëllimisht duke lejuar hapësira të shumta për kundërshtarët dhe duke lehtësuar punën për ekipin mysafir. Kjo situatë u reflektua edhe në shënimet e golave duke bërë të mundur kthesën e rezultatit nga 3:1 në favor të ekipit mysafir në 3:4”, thuhet në arsyetimin e FFK-së.
Tutje, FFK-ja tha se në minutat e fundit të ndeshjes, ekipi vendas kishte mundësi reale për ta barazuar rezultatin, por që pavarësisht mundësisë e hapësirës që nga 4-5 metra të shënohej, nuk u qëllua fare perimetri i portës.
“Përveç raportit të lartcekur, ekzistojnë edhe xhirimet televizive të cilat janë përdorur si prova materiale edhe nga Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë, të cilat vërtetojnë mungesën e angazhimit të ekipit vendas, i cili shprehimisht në nenin 60, paragrafi 1, pika “e” e Rregullores Disiplinore përkufizohet si ‘lëshim i qëllimshëm i kundërshtarit të shënoj gol pa angazhim, angazhim inert, mos dëshirë për lojë, dëmtim i ekipit të tij me qëllim.”
“Veprime të tilla, pra të mosangazhimit, në rastin konkret të ekipit vendas shihen në shënimin e golit të tretë dhe të katërt të ekipit mysafir, si dhe mosrealizimit të mundësisë për gol të ekipit vendas në minutat e fundit të takimit. Ky rezultat ka ndikuar edhe në gjendjen e pikëve të pjesës së poshtme tabelare në Raiffeisen Liga e Parë.”
Më tej, në raportin e FFK-së thuhet se gjithashtu ekzistojnë komunikimet e lojtare me mesazhe telefonike lidhur me zhvillimin dhe rezultatin e ndeshjes si dhe të dhënat nga raportet tjera konfidenciale, që thuhet se paraqesin prova të mjaftueshme për vendimmarrje në çështjen e iniciuar nga Komisioni i Garave.