FFK del në mbrojtje të Vedat Muriqit: “Sulmi ndaj kapitenit është sulm ndaj simbolit të Kosovës”

E publikuar: 01/04/2026 21:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka reaguar me një komunikatë zyrtare prej Facebook-it pas akuzave për “tradhti” ndaj kapitenit Vedat Muriqi, duke i cilësuar këto veprime si të papranueshme.

Institucioni më i lartë i futbollit në vend theksoi se:

“Kur kapiteni i Kombëtares, Vedat Muriqi, sulmohet me fyerje dhe gjuhë përçarëse, kjo nuk prek vetëm një lojtar por prek një simbol të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve që e ndjekin futbollin me krenari”.

FFK-ja e portretizoi sulmuesin si një shembull të pasionit dhe unitetit, duke shtuar se: “Golat e tij nuk janë thjesht pikë në tabelë, ato janë emocione që frymëzojnë popullin shqiptar dhe krijojnë krenari për vendin tonë”.

Në reagimin e tyre, FFK dënoi ashpër klimën negative të krijuar në rrjetet sociale, duke deklaruar se: “Ofendimet dhe komentet fyese nuk kanë vend në futboll dhe as në shoqërinë tonë; nuk duhet të lejojmë që individë të pakët të shpërfaqin negativitet, përçarje dhe urrejtje”.

Federata nënvizoi se Muriqi është njeriu që po shkruan historinë e vendit dhe se përkushtimi i tij nuk mund të vihet në dikutim nga askush.

Komunika u mbyll me një thirrje për bashkim, duke vlerësuar se: “Vedati me punën dhe shpirtin e tij na kujton çdo ditë se si duhet të jemi si komb: të bashkuar, të guximshëm dhe krenarë për çdo arritje”, ndërsa falënderoi shumicën e tifozëve që mbështetën ekipin edhe pas humbjes ndaj Turqisë.