Festa e tifozëve të Botafogos, u lejohet birra në stadium

E publikuar: 21/10/2015 16:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Festë në shtetin e Rio De Janeiros në Brazil, veçanërisht në stadiumin “Engenhao”, ku luan ndeshjet Botafogo, pas vendimit të firmosur nga Guvernatori Luiz Fernando Pezao, për lejimin e konsumimit të pijeve alkoolike në impiantet e futbollit.

Ndeshja mes Botafogos, që aktualisht militon në kampionatin e shtetit të Rios, dhe Cearas përfundoi me fitoren minimale të skuadrës mike, por ky rezultat nuk i pezmatoi shumë tifozët e Botafogos, të cilët për herë të parë pas shtatë vitesh patën mundësi të konsumonin birra në shkallët e stadiumit. Birra e vertetë, jo ajo pa alkool, tani do të derdhet lumë, sepse nuk ka më një ligj që i pengon tifozët të dëfrejnë në mënyrën tradicionale.

Drejtuesit e Botafogos, e shfrytëzuan rastin duke i ftuar të gjithë tifozët që të ngrenin një dolli në stadium, pasi kohët e fundit është vënë re një prani më e kufizuar e mbështetësve në ndeshjet e brenda të skuadrës nga Rio. Gjithsesi, pavarësisht ofertës së bërë nga klubi, numri i të pranishmëve nuk ishte shumë i kënaqshëm. 7706 tifozë janë pak për një klub që është shpallur dy herë kampion në elitën e futbollit brazilian.