Policia e Kosovës ka arrestuar tetë të rinj, në Parkun Gërmia në Prishtinë, pasi i ka gjetur në posedim të marihuanës.
Dhjetëra të rinj sot ishin mbledhur në parkun në dalje të kryeqytetit, sikur u tha për të kremtuar Ditën Ndërkombëtare të Kanabisit.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, konfirmoi se shtatë personave, gjatë kontrollit iu është gjetur marihuanë, kurse njërit i është gjetur një thikë.
Krahas automjeteve private, policia i ka kontrolluar edhe qytetarët, kryesisht të rinj, që vinin me autobusë të trafikut urban.
Policia e Kosovës, më herë kishte njoftuar se ka pranuar informacione se një aktivitet ilegal, ku paralajmërohet se do të konsumohen substanca narkotike, pretendohet të realizohet sot në orët e pasdites në parkun e “Gërmisë”. Mbajtja e tubimit është paralajmëruar përmes rrjeteve sociale.
Nëpërmes Facebookut, organizatorët e eventit “Share/Love – 4/20 Prishtina” kishin ftuar të gjithë të interesuarit që të festojnë në Gërmi “Ditën Ndërkombëtare të Kanabisit”.
Policia iu bëri thirrje qytetarëve që t’iu shmangen aktiviteteve apo organizimeve të tilla joligjore, duke paralajmëruar se do të vepronte për arrestimin e personave të dyshuar që mund të jenë pjesë e këtyre grupacioneve apo u kontribuojnë aktiviteteve të tilla që bien ndesh me ligjet në fuqi.
Pavarësisht paralajmërimit dhe forcave të policisë, që ishin vendosur në hyrje të parkut, dhe kontrollonin të rinjtë që kalonin me makina andej, një numër prej tyre kanë vendosur t’i përgjigje ftesës që është bërë nëpërmes rrjeteve sociale.
Disa pjesëmarrës në këtë ngjarje ka thënë se duhet patjetër të hapet debati për legalizimin e marihuanës. /Ekonomia Online/