Ferat Shala për liberalizimin e tregut: Favorizohet mafia energjetike ballkanase

E publikuar: 15/03/2025 21:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ferat Shala nga PDK, i cili së fundi është rizgjedhur deputet nga ky subjekt politik po vlerëson se nga ajo çka po ndodhë me liberalizimin e tregut do të favorizohet vetëm mafia energjetike ballkanase.

Shala sa i përket kësaj teme, për InfoSot ka deklaruar se  liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është një proces kompleks dhe mund të sjellë “përfitime” për konsumatorët.

“Edhe pse Kosova është ndër vendet e fundit në rajon që i nënshtrohet këtij procesi, me kushtet që ofron tregu i energjisë elektrike, ky mund të konsiderohet një proces me pasoja të rënda për konsumatorët”, tha Shala për InfoSot.

Sipas tij vendosja e mijëra konsumatorëve në treg të lirë nga data 1 qershor 2025 do të krijojë vështirësi për ta, pasi tregu në Kosovë ende përballet me mungesë të gatishmërisë për t’iu përgjigjur kërkesave të konsumatorëve, ndërkohë, disa tregtarë dominojnë pjesën më të madhe të tij, duke kufizuar konkurrencën.

Deputeti i PDK-së, ka theksuar se pas liberalizimit, në mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme vendore, çmimet e energjisë elektrike do të varen nga kushtet e tregut vendor (treg me përqendrim të lartë, sipas raporteve të ZRRE) dhe ai ndërkombëtar.

Prandaj sipas tij kjo do të shkaktojë pasiguri dhe paqartësi për konsumatorët.

E Shala në fund ka theksuar se cilido qoftë vendimi i autoriteteve kompetente për këtë çështje, shteti duhet të ndërmarrë masa për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar një kalim të butë nga tarifat e rregulluara në ato të tregut.

Derisa anomali tjetër sipas Shalës është fakti që konsumatorët nuk kanë mundësi të krahasojnë çmimet e energjisë ndërmjet furnizuesve, duke i ekspozuar ata përballë rreziqeve në procesin e gjetjes dhe përzgjedhjes së furnizuesit të tyre, duke shtuar se kjo do të reflektohet në faturat e tyre si barrë e përditshme financiare.

Andaj sipas tij duke njohur gjendjen e tregut të energjisë elektrike në Kosovë, ku gjatë viteve të fundit sektori i energjisë ka qenë subjekt i shumë manipulimeve dhe dallavereve nga grupacione të ndryshme, dyshojmë se hapja e tregut do t’i bëjë favore vetëm grupacioneve të tregtarëve të energjisë elektrike dhe si pasojë, tërë barrën financiare të këtyre dallavereve do ta bartin konsumatorët përmes tarifave të tyre.

Është thelbësore që ky proces të ketë në qendër interesin e konsumatorëve e jo përfitimin e grupeve të caktuara në treg.

“Duke ditur rëndësinë e reformimit të tregut të energjisë elektrike, ne pajtohemi dhe jemi të bindur që hapja e tregut të energjisë duhet të ndodhë, por vetëm pasi të krijohen kushtet e përshtatshme në treg, ku konsumatorët do të mund ta gjejnë furnizuesin e tyre potencial sipas kushteve të tregut, ashtu si në çdo vend tjetër normal”, theksoi mes tjerash Shala.

E lidhur me vendimin për liberalizimin e tregut energjetik ZRrE ka njoftuar se ka vazhduar procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.

“Bazuar në kornizën ligjore dhe rregullative, ZRRE ka përcaktuar kompaninë KESCO si furnizues me të drejtën e shërbimit universal. Duhet theksuar se neni 37, paragrafi 2 i Ligjit Nr. 05/L – 085 për Energjinë Elektrike, përcakton se: “Të drejtën e furnizimit si shërbim universal e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjar dhe jofamiljar që kanë qarkullim vjetor jo më shumë së dhjetë (10) milion euro, ose jo më shumë së pesëdhjetë (50) punonjës”. Si pjesë e këtij procesi, ZRRE ka udhëzuar KESCO si furnizues i shërbimit universal të identifikojë konsumatorët familjarë dhe ata jo-familjarë të cilët e gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, ndërsa ata që nuk plotësojnë kriteret e të drejtës së shërbimit universal, të dalin në treg të lirë, duke filluar nga 1 qershori 2025. Pra konsumatorët jofamiljar duhet të paraqesin pranë KESCO dëshmitë nëse përmbushin kriteret e furnizimit me shërbim universal.
Liberalizimi i tregut ka qenë një angazhim i ZRRE-së që nga viti 2017, i cili është ndërprerë përkohësisht për shkak të pasojave të pandemisë  dhe të krizës energjetike, të cilat krijuan pasiguri në furnizimin dhe stabilitetin e tregut të energjisë. Megjithatë, tani janë plotësuar kushtet e nevojshme për t’u mundësuar konsumatorëve që përmbushin kriteret të kalojnë në treg të hapur dhe të përfitojnë nga mundësitë e konkurrencës.
Për më tepër, ZRRE do të monitorojë çdo hap të këtij procesi, për të siguruar mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe për të garantuar që të gjitha palët e përfshira të respektojnë normat dhe standardet ligjore në fuqi”, thuhet mes tjerash në njoftimin e ZRrE-së. /InfoSot