Ferat Shala nga PDK-ja ka deklaruar se sot, më 18 janar, ka rënë nga sistemi njësia B2 në KEK dhe se mbi 250 MWh energji elektrike janë larguar nga sistemi pa asnjë paralajmërim.
Sipas Shalës, kjo nuk është më një ngjarje e rastësishme, por pasojë e mirëmbajtjes së dobët, menaxhimit të dobët dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.
Ai ka thënë se çdo rënie e njësive krijon krizë në treg, sidomos kur kemi rënie të paplanifikuara, të cilat rrisin çmimet dhe u japin tregtarëve hapësirë të diktojnë kushtet, ndërsa qytetarët paguajnë pasojat.
“Çdo rënie e njësive krijon krizë në treg, aq më tepër kur kemi rënie të paplanifikuara, si kjo e sotmja, të cilat rrisin çmimet dhe u japin tregtarëve hapësirë të diktojnë kushtet, ndërsa qytetarët paguajnë pasojat. Institucionet heshtin, investimet nuk japin rezultat dhe siguria energjetike po dobësohet. Pa reforma serioze dhe llogaridhënie, krizat do të vazhdojnë dhe çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët, padyshim, do të rriten”, ka shkruar Shala në Facebook.
Ndërkohë, nga KEK nuk kanë kthyer përgjigje për KosovaPress deri në momentin e publikimit të këtij artikulli lidhur me raportimet për çështjen e njësisë B2.
Dy ditë më parë, edhe njësia A3 ishte ndalur përkohësisht nga operimi, ndërsa sipas njoftimeve, operimi i sistemit ka mbetur i qëndrueshëm.
















