Nga rrobat 14 mijë dollarëshe me lëkurë të aligatorit e deri të mobilet e lara në ar dhe veturat luksoze, fëmijët e pasur të Zimbabvesë nuk hezitojnë të publikojnë imazhe nga jeta e tyre private edhe pse populli i këtij vendi vuan nga varfëria.
Në një vend ku GDP-ja për kokë banorë është më pak se 2 dollarë, fëmijët e pasanikëve nuk hezitojnë të shfaqin jetën luksoze që e bëjnë, edhe pse vazhdimisht u bëjnë thirrje përcjellësve që të mos i kritikojnë, transmeton Telegrafi.
Në mesin e pasanikëve që publikojnë imazhe nga jahtet, aeroplanët e helikopterët privatë, bëjnë pjesë edhe djemtë e tashmë ish-presidentit Robert Mugabe, i cili pak orë më parë ka dhënë dorëheqje.
Ky vend ka madje versionin e tyre të motrave Kardashian – Vanessa dhe Michelle Chironga, të cilat vozitin edicione të limituara të Land Roverëve dhe shpenzojnë dhjetëra mijëra dollarë në pushime.
Dhe derisa në Zimbabve po festohet pas lajmit të dorëheqjes së presidentit Mugabe, djemtë e tij Robert Jr 24-vjeç dhe Chatunga 20-vjeç, kanë publikuar disa imazhe nga jeta e tyre luksoze.
Mugabe Jr është shkolluar në Universitetin amerikan – dega Arkitekturë në Dubai, dhe ka pozuar pranë veturës së Batman-it, duke ua treguar 23 mijë ndjekësve të tij në Instagram. Por, nuk mungonin as pozat në aeroplan privat, ku enterieri ishte dekoruar me flori.
Ndërkaq Chatunga shpesh bëhet kryelajm në mediat afrikane, për faktin se shpenzon mijëra dollarë në ahengje e veshmbathje. Dy javë më parë ishte shfaqur në internet një video, ku ai shihej duke larë orët e tij të shtrenjta me shishe të shampanjës Ace of Spades që kushton qindra funte. /Telegrafi/