Një kompani private në Rusi u mundëson të gjithë atyre që dëshirojnë të fotografohen në aeroplan, që të marrin me qira fluturaket e tyre të parkuara në pistë, ku çmimi për dy orë fotosesion kushton vetëm 210 euro.
Ndërsa qëllimi i shumicës që i marrin me qira këta aeroplanë të parkuar, është që t’ju lënë përshtypje ndjekësve të tyre në rrjetet sociale, transmeton Telegrafi.
Me paratë që paguajnë për marrjen e aeroplanit me qira për dy orë, atyre u ofrohet nga kompania edhe një fotograf profesionist, frizeri e grimeri, që kanë për detyrë të bëjnë të pamundurën që këta persona të duken sa më bukur dhe të pasur në imazhet që i postojnë në Instagram.
Dy orë me një fotograf profesionist kushton 210 euro, kurse pa të 165. Por, nëse dikush dëshiron edhe video, atëherë shuma rritet në 370 euro.
Në profilin zyrtar të kësaj kompanie në Instagram, janë postuar fotografi të personave të ndryshëm që kanë pozuar kinse janë duke fjetur në aeroplan, duke shijuar në maksimum pamjen nga dritaret ose duke u shtirur kinse “në udhëtim kanë marrë me vete kafshën e tyre shtëpiake”.
Mysafirët mund të shijojnë edhe shampanjën në aeroplan, derisa shtiren kinse janë duke fluturuar me fluturaken e marrë me qira.
Ideja për një biznes të tillë është dhënë nga milioneri italian dhe ylli i Instagramit, Xhanluka Vaki, i cili me një fotografi të postuar fiton mbi 200 mijë pëlqime. /Telegrafi/