Fehmi Hoti është caktuar të martën ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e caktoi Hotin në këtë pozitë, pasi Samedin Mehmeti dha dorëheqje.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook.
Dorëheqja e Mehmetit vjen pas rastit të rëndë që ndodhi në Prishtinë, ku një vajzë 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar nga pesë persona.
“Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga z. Samedin Mehmeti, Drejtor i Policisë së Kosovës. Kjo kërkesë sipas z. Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, ka shkruar Sveçla.
“Tashmë Kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z. Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm z. Fehmi Hoti, Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës. Me këtë rast falënderoj z. Mehmeti për angazhimin e deritanishëm dhe bashkëpunimin e mirë si dhe i uroj suksese në detyrat e mëtejme në Policinë e Kosovës”.
Hoti aktualisht mban pozitën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës.
Para se të emërohet në këtë pozitë, i njëjti ka qenë drejtor i Policisë për rajonin e Prishtinës.
Hoti ka punuar po ashtu edhe në Departamentin e Krimeve të Rënda. /Telegrafi/