Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, pas pranimit të informacioneve dhe veprimeve të përbashkëta hetimore me FBI, ka identifikuar tre të dyshuar të cilët në vazhdimësi kryenin veprën penale të krimeve kompjuterike (vjedhjehn e të dhënave të ndryshme personale, bankare, shitjen online të programeve softuerike për infektimin e kompjuterëve).
Në bashkëveprim me Prokurorinë e Shtetit, është ndërmarrë operacioni për arrestimin e të dyshuarve të rastit, kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, me qëllim të mbledhjes të provave. Operacioni policor është zhvilluar në rajonin e Gjilanit në dy lokacione dhe në rajonin e Mitrovicës në një lokacion, njoftoi policia.
Të dyshuarit janë: L. I. (1990), L.M. (1992) dhe L.Sh. (1989), të gjithë meshkuj, shqiptarë të Kosovës.
Në cilësinë e provave materiale, sipas njoftimit të policisë, janë sekuestruar: 6 laptopë, dy shtëpiza kompjuterike, 7 telefona mobilë, 1 hard disk i jashtëm, 5 USB, CD, 5.500 euro, dhe 1 veturë.
Personat e dyshuar, me urdhër të prokurorit, janë dërguar në mbajtje policore për vazhdim të procedurës të mëtejme gjyqësore.