FBI ka mbërritur, dosjet janë në tavolinë,starton fushata “Arrestime VIP”

E publikuar: 07/11/2017 10:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skandalet e njëpasnjëshme qeveritare kanë bërë që më shumë se për çdo gjë tjetër të flitet për arrestime. Dikur ishte një slogan “Investime dhe arrestime”, ndërsa tani është kthyer në “arrestime, vetëm arrestime”, pasi nuk ka kurrfarë investimesh. Në të gjithë qëndrimet publike të politikës flitet për ndëshkime nga drejtësia dhe pranga. Opozita kërkon arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, emri i të cilit del në përgjimet e një bande droge në Itali. Ndërkohë detajet e reja të ngjarjes në Shqipëri me para dhe patenta kanë zgjeruar listën e të arrestuarve. Në situatën e re, Partia Socialiste bëri një mbrojtje me sulm për ish-ministrin duke iu lëshuar Prokurorisë dhe duke kërkuar arrestime nga radhët e opozitës, për aferat e viteve të kaluara.

Raportimi i mësipërm vjen nga “Koha Jonë”, sipas të cilës: përveç qëndrimeve politike që mbahen gjatë ditës janë dhe disa institucione që për arrestimet nuk punojnë me fjalë, por me vepra. Shumë shpejt institucionet e reja të Vettingut, pas verifikimeve që do t’u bëjnë pasurive dhe pronave të gjyqtarëve dhe prokurorëve pritet të kalojnë në veprim. E thënë ndryshe, janë disa emra gjyqtarësh dhe hetuesish që mund ta shohin veten jo më si përfaqësues të shtetit, por në bangën e të akuzuarit. Një pjesë e juristëve që e dinin se dosja e tyre ishte me njolla u larguan pa u ndjerë. Të tjerët që kanë menduar se mund t’a kalojnë me lobingje dhe lidhje politike fushatën e vettingut, pritet të bien të parët në rrjetën e reformës.

Ndërkohë në Tiranë këto kohë, si pjesë e reformës në drejtësi kanë mbërritur ekspertët e Byrosë Federale të Investigimeve, siç njihet ndryshe FBI. Një numër i madh hetuesish dhe specialistësh amerikanë, jo vetëm do të trajnojnë ekspertët e komisioneve të vettingut, por edhe do të marrin në duar dosje të veçanta të pushtetarëve shqiptarë. Hetimet e kryera nga institucionet e FBI, së bashku me ekspertët shqiptarë pritet që të çojnë pas hekurave jo pak njerëz të rëndësishëm të politikës dhe biznesit në vend.