Tenderi në vlerë prej mbi 58 mijë euro i Ujësjellësit Prishtina u përcoll me shkelje të ligjit të prokurimit publik dhe rregullores së Bankës Qendrore për zbatimin e tarifave të sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë. Kompania që e fitoi tenderin përkundër këtyre dy shkeljeve e ka të punësuar Amir Gashin, kryesuesi i bordit të ndërmarrjes publike KUR Prishtina.
Amir Gashi, kryesues i Bordit të Drejtorëve të kompanisë së ujësjellësit rajonal Prishtina, punon edhe si zyrtar ligjor në kompaninë private të sigurimeve “Sigkos”. Gashi u emërua në këtë post publik më 30 dhjetor të vitit të kaluar.
Menjëherë pas dy muajve kjo ndërmarrje publike shpalli fitues në një tenderë publik kompaninë “Sigkos”, ku është i punësuar Gashi. Kompania u shpall fituese në tenderin e emërtuar “Sigurimi nga Autopërgjegjesia i Automjeteve të KUR Prishtina Sh.A”, më 31 dhjetor 22015.
Njoftimi për dhënie kontrate është publikuar më 31 dhjetor 2015 në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Oferta e kësaj kompanie peshonte në vlerë prej 52 mijë e 868 euro. Ujësjellësi Prishtina njoftoi se kjo kompani kishte ofruar çmimin më të ulët të përgjegjshëm në tenderë.
Përveç këtij fakti, kjo kompani private nuk ka plotësuar kriteret e përcaktuara në dosje të tenderit nga vetë ndërmarrja KUR Prishtina. Organi Shqyrtues i Prokurimit ka pamundësuar nënshkrimin e kontratës mes kompanisë private ku punon Gashi dhe ndërmarrjes publike që udhëhiqet nga i njëjti. Më 26 shkurt 2016 ka vendosur që tenderi të kthehet në ri-vlerësim.
Amir Gashi, i kontaktuar nga Insajderi, nuk ka dashur të komentojë për detajet e rastit. Ka thënë se dy punët e tij nuk mund të kenë ndërlidhje njëra me tjetrën. Ka thënë se punon si zyrtar ligjor në “Sigkos”, ndonëse në faqen zyrtare të kësaj kompanie shënohet se ai është këshilltar për degën e Prishtinës.
“Ky tender është anuluar me vendim të OSHP-së. Nuk është nënshkruar kontrata”, ka thënë shkurt Gashi.
Shkelet rregullorja e Bankës Qendrore
Ndaj vendimit të Ujësjellësit që shpall fitues kompaninë “Sigkos”, është deponuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ankesa është dorëzuar nga kompania konkurrente “ “Sigal Uniqa Group Austria”, që pretendon se kompania fituese në momentin e konkurrimit nuk kishte respektuar “Rregulloren për zbatimin e tarifës për sigurimin e detyrueshëm të autopërgjegjësisë TPL dhe TPL plus”, të aprovuar nga Banka Qendore.
Kompanitë e sigurimeve obligohen që të respektojnë këtë rregullore kur aplikojnë në tenderë publikë dhe nuk mund të ofrojnë shërbime në kundërshtim me të. Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte angazhuar Ekspertin shqyrtues që të bënte një raport lidhur me pretendimin e kësaj kompanie.
Eksperti shqyrtues i ka dhënë të drejtë këtij pretendimi. Ka konkluduar se ndërmarrja publike kishte vendosur në shpërputhje me Ligjin e Prokurimit Publik kur kishte shpallur fitues kompaninë “Sigkos”.
“Eksperti shqyrtues më tej ka sqaruar se kompania ankuese pretendon se për automjetin Minibus dhe Kombibus – Renault (Master P5 dhe M7) kompania “Sig Kos” ka ofertuar me autobus urban, mirëpo për të njëjtin automjet Ujësjellësi ka kërkuar edhe sigurim TPL plus/ Polisa”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Kjo, sipas ekspertit shqyrtues, përbën shkelje të rregullores së miratuar nga Banka Qendrore pasi që kompanitë e sigurimeve obligohen ta respektojnë këtë dokument.
“Autobusët urban nuk janë të obliguar të sigurohen me TPL plus -Polisa dhe në këtë rast nga kompania fituese është shkelur rregullorja për zbatimin e tarifave për sigurimin e detyrueshëm të auto përgjegjësisë TPL dhe TPL plus”, të aprovuar nga BQK-ja”, thuhet në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Vendimi shton se Paneli Shqyrtues i OSHP-së i ka falur besimin raportit të ekspertit shqyrtues të datës 25 janar të këtij viti.
Ujësjellësi: Nuk ishim në dijeni se kryetari i bordit punonte në “Sigkos”
Insajderi ka pyetur menaxhmentin e ndërmarrjes KUR Prishtina lidhur me këtë tenderë. Ka marrë përgjigje nga Zyra e Prokurimit. Kjo zyrë ka treguar se fillimisht nuk ka qenë në dijeni se në këtë kompani private është i punësuar edhe kryesuesi i bordit, Amir Gashi. Më 15 dhjetor të vitit të kaluar kjo ndërmarrje kishte dërguar Njoftimin për Dhënie Kontrate në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. KRPP i bën publike njoftimet në faqen e saj zyrtare.
“Në lidhje me faktin se i emëruari në bordin e Ujësjellësit Prishtina , dy muaj më herët, 30 tetor 2015, figuron ende si këshilltar i degës së Sigkos në Prishtine, ne në departamentin e prokurimit jemi njoftuar nga Zyrtari Kryesor Administrativ (ZKA) z.Gjelosh Vataj. Kjo ka ndodhur me datën 15 dhjetor 2015 në mesditë. Ne në po të njëjtën ditë, 15 dhjetor 2015, në mëngjes kishim dërguar në KRPP Njoftimin për Dhënie të Kontratës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurimit të Ujësjellësit Prishtina.
Pas informimit nga ish-drejtori Vataj, zyrtarët e prokurimit kishin ndaluar publikimin e njoftimit për dhënie të kontratës në faqen e KRPP-së.
“Po të njëjtën dite i jemi drejtuar KRPP’s me kërkesë për interpretim/Këshillë Profesionale/ në lidhje me ekzistimin eventual te “KONFLIKTIT TE INTERESIT””, thuhet në përgjigjën e KUR Prishtina dhënë Gazetës Insajderi. KRPP i kishte sugjeruar që t’i drejtoheshin edhe Agjencisë Kundër Korrupcion.
“Pas periudhës gati 2 javore,ne kemi marrë përgjigje nga AKK, e cila është konsultuar edhe me zyrtar ligjor të KUR Prishtina sh.a. dhe prapë kemi ardhur në përfundim se në asnjë situatë nuk kemi të bëjmë me konflikt interesi”, thuhet në përgjigjet e kësaj ndërmarrje publike.
Flora Sahiti, zyrtare ligjore në KRPP, ka deklaruar për Insajderin se ky institucion i ka kthyer përgjigje kësaj ndërmarrje publike duke e njoftuar se “ligji për prokurimin publik nuk trajton në mënyrë decidive çështjen e rasteve të konfliktit të interesit”.
Ndërkaq Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion, nuk ka dashur të komentoi se pse Agjencia në këtë rast ka vlerësuar se nuk ekziston konflikt interesi. Ka thënë se opinioni është i publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsion. Asnjë opinion lidhur me Amir Gashin, kryesuesin e bordit të kësaj ndërmarrje publike, nuk gjendet në faqen zyrtare të këtij institucioni shtetëror. (Insajderi.com)