Një grua nga Pensilvania e SHBA-ve ka përjetuar momentin më shokues në jetën e saj, kur në fillim të muajit duke kontrolluar faturën e rrymës e kuptoi se borxhi i saj kapte një shumë marramendëse që assesi truri i njeriut nuk mund ta pranojë – bëhet fjalë për 284 miliardë dollarë.
Mary Horomanski 58-vjeçe fillimisht kishte pyetur veten nëse kompania që e furnizon me energji elektrike ka ngritur çmimet, dhe nëse dritat dekoruese që i ka vendosur me rastin e festave të fundvitit kanë ndikuar në borxhin që i kishte ardhur, transmeton Telegrafi.
“Nëse nuk gabohem, është një borxh më i madh se ai i gjithë kombit tonë”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.
“Nëse i shesim të gjitha gjërat që i kemi, atëherë pas 100 viteve ndoshta do të mund të paguajmë borxhin”, ka shtuar Mary e cila për faturën e saj të super-fryrë kishte informuar të përditshmen Time News.
“Për pak sa nuk më dolën sytë nga vendi kur pashë faturën e rrymës”, ka deklaruar ajo e shqetësuar për këtë të përditshme.
Nga borxhi total prej 284.460.000.000 dollarë, Mary në fakt është dashur të paguaj për muajin dhjetor, vetëm 2884.46 dollarë.
Djali i saj i kishte telefonuar kompanisë “Penelek” që furnizon qytetin ku ata jetojnë me rrymë, me ç’rast e lajmëroi rastin e tyre. Zëdhënësi i kompanisë Mark Durbin, ka bërë të ditur se disa numra shtesë ishin “shkruar gabimisht”.
“Nuk më kujtohet nëse ndonjëherë kompania Penelek i ka dërguar dikujt një faturë me këtë shumë”, ka deklaruar ai.
Dhe pasi e përmirësuan gabimin, atyre u është shtypur një faturë e re me borxhin real prej 284, 46 dollarë. Megjithatë, pas kësaj ngjarje shokuese, Mary ka fituar një dhuratë interesante për Krishtlindje nga i biri, matësin e shtypjes së gjakut. /Telegrafi/