Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci e ka quajtur “pirshpirik” Lumir Abrixhikun, në një reagim ndaj komenteve të bëra nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryediplomaten në detyrë Donika Gërvalla të enjten.
Peci i quajti “të pakuptueshme e irrituese” deklaratat e Abdixhikut për Gërvallën.
Abdixhiku, në një intervistë televizive të enjten, e quajti Gërvallën një person “të paedukatë dhe me mungesë të theksuar të inteligjencës.”
“Është jo vetëm e pakuptueshme e irituese, por edhe e tmerrshme të dëgjojmë Lumir Abdixhikun duke e cilësuar Donika Gërvallën si ‘e paedukatë’”, tha Peci në një postim në Facebook.
Peci tha se lideri i LDK-së nuk e ka fyer vetëm Gërvallën si person, por të gjithë familjen e saj.
“Lumir, përgjegjëse primare dhe absolute për edukimin e një personi është familja. E, nëse i thua Donikës ‘e paedukatë’, ti e ke fyer heroin e Kosovës e frymëzimin patriotik e shpirtëror të gjeneratave, Jusuf Gërvallën, e ke fyer heroinën e Kosovës, Suzanën, atë që rriti e edukoi tre fëmijët shembullorë të heroit dhe e ke fyer Nanën Ajshe, që jo vetëm që është gjyshja e shtylla e kësaj familjeje, po është institucion i qenies shqiptare”, tha ministri në detyrë i Bujqësisë.
Sipas Pecit, Donika Gërvalla është e lidhur ngushtë me “lidhje gjaku, me vizion dhe me aktivitet 35-vjeçar” me ngjarjet më të mëdha historike të popullit të Kosovës.



















