Ish-Presidenti Fatmir Sejdiu ka reaguar pas seancës së sotme në sotme në Kuvend dhe zhvillimeve që pamundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale. Thotë se dështimi i kësaj Gjykate flet për brishtësinë e institucioneve.
Shkrimi i plotë i Sejdiut në Facebook:
Debati i sotëm në Kuvendin e Kosovës dhe mosmiratimi i amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Qeveria për themelimin e Gjykatës Speciale domosdo Kosovën e fut në një fazë të re dhe jashtëzakonisht të ndjeshme.
Megjithë zotimet e zyrtarëve më të lartë të shtetit për përfundimin e këtij procesi, sot doli një përgjigje tjetër nga Kuvendi i Kosovës. Kjo tregon se nuk kishte një përgatitje serioze dhe thellësisht të pjekur për këtë proces. Po kështu, kjo dëshmon brishtësinë e funksionimit institucional.
Në këtë periudhë, lënë anash gjithë kalkulimet e vërejtshme të deritashme, Kosovës i nevojitet hap i vendosur dhe i arsyeshëm për të gjetur formulën më të mirë të kapërcimit të kësaj situate. Sigurisht se variantet mund të jenë të shumta. Por, para së gjithash Kosovës i nevojitet një unitet nacional dhe qytetar dhe veprime shumë të vendosura për të zhvilluar partneritet të sinqertë , në radhë të parë brenda gjithë forcave politike të vendit dhe paralelisht një partneritet të fuqishëm e të sinqertë me miqtë e dëshmuar të Kosovës.