Fatmir Sejdiu pritet të jetë kandidat për kryetar të LDK-së

E publikuar: 09/04/2015 23:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me t’u afruar zgjedhjet në qendër, pasi që nëpër nëndegë tashmë kanë filluar, ethet se kush do të jenë kandidatë për kreun e LDK-së kanë filluar.
Kryetari aktual, Isa Mustafa nuk ka dhënë shenja se nuk do të kandidoj, meqë ai tash e ka edhe alibinë e të qenit kryeministër i vendit, premtim që e kishte bërë gjatë fushatës zgjedhore, vitin e kaluar.
Në anën tjetër, gjithnjë e më shumë ka zëra brenda partisë që garës për të parin e LDK-së t’i hyjë sërish ish presidenti Fatmir Sejdiu, i cili asnjëherë deri me tash nuk e ka mohuar se mund të rikandidoj.
Kryesia aktual e LDK-së ia mbanë anën fuqishëm Isa Mustafës, derisa në degë të caktuara, si ajo e Gjakovës dhe të tjera kërkohet rikthimi i Fatmir Sejdiut.
Isa Mustafa e pat mposhtur para katër vitesh Fatmir Sejdiun, derisa ky i fundit u emërua si kryetar nderi i partisë.
Mirëpo, me kalimin e kohës raportet Mustafa-Sejdiu janë ftohur në vazhdimësi, për ta arritur kulmin sot në manifestimin për Betejën e Koshares ku siç shihet nga disa video-incizime ata të dy as që përshëndetën.
Pakënaqësi me Mustafën ka edhe brenda Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, ku llogaritet të jenë 5 ose 6 deputetë që mund ta mbështesin Sejdiun në garën për të parin e partisë.