Fatmir Limaj dhe të tjerët shpallen të pafajshëm për rastin “Kleçka”

E publikuar: 16/04/2016 14:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit e ka shpallur të pafajshëm deputetin, Fatmir Limaj dhe të tjerët për rastin “Kleçka”.
Një trup gjykues i përbërë prej dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe një vendës, ka hedhur poshtë ankesën e Prokurorisë – si të pabazuar.

Burime të Insajder nga Gjykata kanë thënë në kushte anonimiteti se aktgjykimi që Limajn dhe nëntë të tjerët i rishpall të pafajshëm është nxjerr dy muaj më parë, por ende nuk është publikuar.

“Ankesa e Prokurorisë është hedhur poshtë dhe është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë”, ka thënë një burim tjetër.

Të njëjtin konfirmim Insajderit ia kanë dhënë edhe dy burime tjera.

Në Gjykatën e Apelit nuk kanë folur për këtë me arsyetimin se ende nuk është publikuar aktgjykimi. Pa u publikuar ky aktgjykim nuk kanë dashur të flasin as në ekipin mbrojtës të Fatmir Limajt.

Apeli i ka dhënë fund këtij procesi të gjatë që ka nisur pesë vjet më parë. Limaj dhe të tjerët janë shpallur dy herë të pafajshëm nga shkalla e parë.

Rasti Kleçka kishte shkuar në Apel me ankesën e ish-prokurorit, Maorizio Salustro, pasi për të dytën herë shkalla e parë e kishte shpallur të pafajshëm Arben Krasniqin, Naser Krasniqin, Nexhmi Krasniqin, Behlul Limajn, Fatmir Limajn, Refki Mazrekun, Naser Shalën, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn.

Limaj akuzohej për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër robërve të luftës. Mes tjerash akuzohej se kishte urdhëruar vrasjen e dy serbëve. Vrasjen e tyre pretendohet se e kishte kryer Agim Zogaj i njohur si dëshmitari “X”.