Familja mbretërore bëhet me anëtar të ri

E publikuar: 25/01/2021 16:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Princi William dhe dukesha e Cambridgeit, Kate Middleton, e kanë mirëpritur një anëtar të ri në familjen e tyre.

Çifti i njohur i familjes mbretërore britanike, pak kohë para ngordhjes së qenit të tyre, Lupo, në fund të vitit të kaluar e kanë pranuar dhuratë nga vëllai i dukeshës, James Middleton, një qenush të zi tetë muajsh.

Qeni tashmë ka arritur në shtëpinë e Dukës dhe Dukeshës së Cambridgeit në Norfork, dhe duket se e gjithë familja është e lumtur dhe po e shijon qenin e vogël, ani pse ngordhja e Lupos i ka mërzitur shumë.

James Middleton është ambasador për fondacionin bamirës “Pets As Therapy” në Britani të Madhe, dhe njëherësh është themelues i kompanisë “Ella & Co”, e cila prodhon ushqime të shëndetshme për qentë.

Nga 6 këlyshët e familjes Middleton, qenushin e ri të familjes mbretërore e kanë zgjedhur dy fëmijët e mëdhenj të Dukës dhe Dukeshës, Princi George dhe princesha Charlotte.

Fëmijët e princit William që është anëtari i dytë në radhë për ta trashëguar fronin mbretëror, do të kenë mundësi të kalojnë më shumë kohë me qenin e tyre të ri, pasi aktualisht janë duke e ndjekur shkollën nga shtëpia si pasojë e pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit./eko/