Familja e Astrit Deharit: Autopsia të bëhet në prezencë të mjekëve të caktuar nga ne

E publikuar: 05/11/2016 22:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Familja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili vdiq sot në Prizren, ka kërkuar nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, që të mos ia bëjë autopsinë e djalit të tyre pa praninë e mjekëve të pavarur të caktuar nga vetë familja.
Kjo për faktin e deklaratave të autoriteteve kosovare, të cilët e kanë vlerësuar vdekjen e 26-vjeçarit, Astrit Dehari si të dyshimtë.

Ky është reagimi i plotë i familjes së Astrit Deharit:

Për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës, familja Dehari kërkon nga Departmenti i Mjekësisë Ligjore që autopsia e trupit të djalit tonë Astrit Dehari të mos bëhet në asnjë mënyrë pa prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga familja.

Deklarimet institucionale që e cilësojnë si të dyshimtë vdekjen e djalit tonë, si dhe kontradiktat në deklaratat e institucioneve të ndryshme, janë tejet shqetësuese për ne dhe insistojmë që në asnjë mënyrë të mos bëhet autopsia pa prezencën e mjekëve që do të caktohen nga familja.

Familja Dehari,

5 nëntor 2016