Familja Rrahmani, nga fshati Plemetin i komunës së Obiliqit, po jeton në kushte tmerrësisht të vështira. Të dhjetë anëtarët e kësaj familjeje, përfshirë edhe tre fëmijë të vegjël, po ballafaqohen çdo ditë me mungesë të kushteve më elementare për jetë.
Gjatë ditës që e vizituam këtë familje, gjendja e tyre ishte e mjerueshme. Të tre fëmijët e vegjël, të cilët ishin kureshtarë se kush ishim dhe të cilët kishin zënë vend para shtëpisë së kësaj familjeje ishin të zbathur, të zhveshur, përderisa edhe pos të vegjël në moshë kishin një kërkesë të qartë: ndërtimin e një shtëpie, siç thanë ata, sikurse që i kanë fqinjët përreth tyre, shkruan gazeta “Kosova Sot”.
Mungojnë gjërat elementare për jetë
Genci gjashtëvjeçar thotë se do të ishte i lumtur sikurse të kishte një shtëpi më të mirë. “Po, isha gëzuar sikur të kishim një shtëpi më të mirë. Kjo ka ujë, është e keqe dhe ne po sëmuremi”, thoshte ai.
Myku dhe Lagështia rrezikojnë shëndetin e fëmijëve
E derisa fëmijët nuk e kishin barrën e sigurimit të ushqimit, nëna e tyre, Luljeta, thotë se përveçse çdo ditë mendon se si t’i ngopë me një kafshatë të bukës, kanë hallin se nga mungesa e kushteve fëmijët do të marrin ndonjë sëmundje.
“Sigurisht se si nënë kam mall që të kem para dhe të shkoj nëpër dyqane dhe t’u blej fëmijëve rroba për shijen e tyre apo timen, por kur nuk arrin të i sigurosh as ushqim të mjaftueshëm, nuk ke zgjidhje tjetër, duhet t’i shikosh dhe t’i lutesh Zotit të rriten të shëndosh”, thotë Luljeta.