Nën dyshimet për veprën penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore, për presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit, në aksionin e sotëm në Prizren janë ndaluar 109 persona.
Në konferencë për media, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu tha se diferenca totale e keqpërdorimet me vota është mbi 68 mijë, për çka tha se kjo tregon për “dashje direkte për ta përmbysur rezultatin dhe vullnetin e qytetarëve”.
Para gazetarëve, pasditen e së premtes, Kryeziu tha se “secili që ka guxuar t’i fus duart në votat dhe vullnetin e qytetarëve është ballafaquar me forcën e ligjit”.
“Sot secili prej atyre që ka guxuar t’i fus duart në votat dhe vullnetin e qytetarëve, është ballafaquar me forcën e ligjit. Dua ta bëjë të qartë për të gjithë, këtu nuk bëhet fjalë për numrin e votave të subjekteve politike që kanë ndodhur më 28 dhjetor, atëherë kur kemi qenë edhe të angazhuar të gjithë prokurorët, policia dhe gjitha institucionet tjera, por bëhet fjalë për manipulime brenda llojit aty ku katër subjektet më të mëdha politike i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe ata kanë menduar që larg syve të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë mund të manipulojnë dhe mund t’ia dalin pa të keqe”, deklaroi ai.
Sa i përket dhënies dhe marrjes së ryshfetit, ai tha se sot është zbuluar një gjë e tillë kur “njëri prej komisionerëve ka vendosur të bashkëpunojë me Prokurorinë”.
“Ka kandidatë, vetëm për kandidatë të subjekteve të caktuara politike që kanë nga 100, 200, 500 e deri në 6000 vota. Pra, deri mbi 6 mijë vota janë të falsifikuara për një kandidatë. Bëhet fjalë edhe për situata ku vetëm në një vendvotim për të pasur të qartë, gjithçka ka ndodhur në QKN, vetëm në një vendvotim numri i manipuluar ka shkuar deri në 2444 vota. Vetëm praktikisht në një klasë sa kanë votuar qytetarët, janë manipuluar 2444, përderisa mund ta them se në regjionin tonë ato që janë numëruar nga subjektet politike në QKN është vetëm një vendvotim, vetëm një klasë që ka dalur pa keqpërdorur. Dhe maksimalja thash që është 2444 vota”, shtoi ai.
Më tej, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren bëri të ditur se vetëm në këtë komunë janë shtuar mbi 40 mijë vota.
“Po flasim për Komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40 mijë e 497 vota. Dhe janë hequr hiç më pak se 27 mijë e 520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68 mijë e 17 vota. Pra po flasim për një organizim, po flasim për dashje direkte për ta përmbytur rezultatin. Po flasim edhe për përmbytje të vullnetit të qytetarëve. Do të ishte e pamundur të ndryshoheshin të gjitha këto vota po të mos kishte kompromis të të gjithë komisionerëve, të gjithë atyre që kanë qenë të deleguar nga katër partitë më të mëdha politike në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
Në aksionin e sotëm, Kryeziu ndër tjera tha se kanë ftuar 121 persona, ku “pesë janë liruar, përderisa 109 janë të ndaluar”.
“Sot, katër prokurorët e Departamentit të Krimeve të Rënda janë marrë me procese dhe kanë dalë edhe nëpër stacionet policore dhe kanë lëshuar 109 vendime për ndalim. Deri në momentin që po flasim i kemi 109 të ndaluar për vepra penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore, për presion dhe kanosje, e për dhënie e marrje të ryshfetit. Pra sot kemi pasur situata ku kemi fituar edhe dëshmitarë bashkëpunues, kemi pasur situata ku na kanë treguar se si kanë ardhur presionet dhe kemi pasur situata që kanë treguar edhe kush ka marrë dhe nga kush kanë marrë ryshfet”, theksoi Kryeziu në konferencë për media.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë të Krimeve Ekonomike, Luan Ibrahimi tha se ky operacion ka qenë prej më të mëdhatë që ka realizuar Policia e Kosovës.
“Jemi angazhuar në të marrë informacionet për keqpërdorime, gjithashtu edhe me tu pajisur me autorizimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prizren, edhe përkundër vështirësive që kemi pasur për shkak se ky ka qenë një prej operacioneve ndoshta më të mëdha që ka realizuar Policia e Kosovës. Ne jemi përgatitur, jemi mobilizuar në koordinim me Prokurorinë edhe drejtorinë rajonale dhe siç shihet ja kemi arritur qëllimit që të parandalojmë edhe t’i arrestojmë personat të cilët kanë keqpërdorur me vota, të cilët kanë ndikuar, kanë kërcënuar ose kanë dhënë ryshfet dhe kanë dhënë ryshfet lidhur me votimin e fundit që kanë ndodhur në Kosovë”, tha ai.
Lidhur më atë se a janë intervistuar ndonjë kandidatë për deputetë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu tha se deri tani janë intervistuar kryesisht komisionerët dhe ata që kanë keqpërdorur me votat drejtpërdrejt, por shtoi se edhe kandidatët për deputetë do të dëgjohen.
“Prokuroria udhëhiqet gjithmonë me prova, drejtësia kërkon të flasim me gjuhën e fakteve. Ne deri në këtë fazë jemi duke vepruar ndaj atyre që drejtpërdrejt kanë keqpërdorur votën. Pra, kanë keqpërdorur rezultatet, ata kanë vendosur firmat e tyre, kanë vendosur nënshkrimet e tyre, dhe është e tyre që të bashkëpunojnë me ne. Deri në këtë fazë nuk kemi ndonjë informacion që e involvon drejtpërdrejt ndonjë kandidatë në ndërhyrje, mirëpo unë besoj që edhe kandidatët do të dëgjohen edhe në prokurori, në rast se nuk do të arrijmë të sigurojmë prova në cilësi të të dyshuarve pa dyshim që ne kemi dëgjuar edhe deklaratat e tyre mediale, shumë prej tyre, pa përjashtim të subjekteve politike, që ata ndjehen edhe të dëmtuar për shkak të imazhit. Prokuroria po besoj që do t’ua ofrojë këtë mundësi që t’i marrim së paku në cilësinë e të dëmtuarve, të ua japim mundësinë që t’i bashkangjiten ndjekjes penale, të parashtrojnë edhe kërkesë pasurore-juridike dhe t’ua thonë në sy atyre që janë të dëmtuar”, përfundoi ai.
Në konferencë për media, drejtori i Policisë në rajonin Prizrenit, Faton Alija tha se në këtë operacion kanë asistuar me personel, për çka theksoi se të gjithë ata që janë dërguar në hapësirat e stacioneve policore u janë respektuar të drejtat dhe se nuk ka asnjë të lënduar.

















