Labinot GJINI
Para dy vjete po debatoja në një grup shqiptar të facebookut. Njëri nga komentuesit me emër të fshehur, ekstremist islamik, po më thoshte se islami do të fitoj në të gjithë botën…etj (siç i keni dëgjuar edhe vet). Ndërkohë, mua po më shkonte buza në gaz pas ekranit tim me naivitetin e tij dhe vazhdoja të komentoja. Kisha një avantazh të konsiderueshëm mbi të sepse, për dallim prej tij, unë e njihja mirë fenë (gati në të gjithë dimensionin e saj), ai gati se hiq. Më vonë filloj ky far tipi të më flas për “shkencat islame” dhe për “zbulimet” e islamit. Jo se në periudhën post muhamediane nuk ka pasur ndonjë zbulim aty këtu nga arabët, por është e çuditshëme se të gjitha ato që i përmendin islamistët si zbulime të arabëve post muhamediane janë zbulime të njohura nga një mijë deri në tre mijë vjet para Muhamedit (pra edhe para Krishtit). Dhe, zakonisht këto zbulime janë bërë gjithëmon nga njerëz me besim të dyshimt.
Duke më folur për islamin, demokracinë dhe shkencën, bashkëbiseduesi im më përkujtonte se si e kishte pësuar feja e krishterët në vendet perendimore kur ajo tentonte të përdor si instrumente këto dy të fundit për qëllimet e saja. Ndoshta shumë prej jush nuk e dinë, por krishterimi ka qenë po kaq agresiv sa islami sot përgjatë shumë shekujve. Bile, ai kishte përdorur po të njejtat metoda me ato që përdor islami sot përgjatë shekujve 18, 19 dhe 20. Mirëpo, duke e parë dobësinë e tij përball ideologjive moderne dhe pamundësinë për t’a konsoliduar (nënshtruar) shkencën dhe demokracinë me besimin, ai është tërhequr, dal nga dal, gjatë shekullit 20 dhe 21 në një hapësirë tërësisht private. Sot, krishterimi ka ndërruar metodë dhe strategji. E ka kuptuar se publiciteti në hapësirat publike është i dëmshëm për të. Ose, thënë ndryshe, është pajtuar (nënshtruar) ndaj botës moderne dhe, tani, e ka kuptuar se botës nuk i dikton dot sjelljen dhe as orientimin. Përkundrazi, e ka kuptuar se bota ja dikton sjelljen kishës dhe orientimin që duhet të merr ajo. Pra, kisha ka kaluar nga diktoni “unë jam shefi juaj, ejani pas meje” tek “unë jam shefi juaj, prandaj do të vij pas jush”.
Në anën tjetër, sado e çuditshëme të duket për profanët, me disa dallime të vogla islami është ka shkon në të njejtin drejtim me atë të krishterimit. Ai është duke e favorizuar përditë humbjen e ndikimit të tij. Të thirrësh në demokraci dhe të mundohesh të përdorësh shkencën dhe politikën për qëllime fetare është strategjia më e gabuar që mund të bëjë një fe. Sepse duke menduar se je duke e kolonizuar shkencën dhe politikën, realisht je duke e kolonizuar fenë prej shkencës dhe prej politikës. As në shekujt më të errët të obskurantizmit evropian, feja nuk e ka dominuar dot politikën dhe interesat politike të princërve apo mbretërve të ndryshëm evropian. Sot, një gjë e tillë është tërësisht e pamundshëme në Evropë dhe në vendet Perendimore (1).
Për të qenë, një gjë të tillë e ka provuar kisha gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar për së fundmi herë. Përkitazi, në vitet 60′. E gjendur në një gjendje të vështirë përball forcave intelektuale, ajo po tentonte të riarmatoset intelektualisht. Përveç se kisha po mundohej të hapej ndaj shkencave shoqërore në mënyrë zyrtare me tomizmin për të luftuar “modernizmin”, një hapje intelektuale po operohej edhe jashta hierarkisë zyrtare. Kështu, disa grupe apo individ të ndryshëm të veshur me statutin e zyrtarëve kishtar, por nën iniciativë private, po tentonin të konsolidojn fenë katolike me shkencat shoqërore e ato pozitive. Ata kërkonin që kisha të riaktualizohet përmes instrumentalizimit të shkencave shoqërore me qëllim që të arrij misionin e saj të rikrishterizimit të shoqërisë. Flitej asokohe për “shkenca katolike” ashtu siç flitet sot për “shkenca islame”. Kështu, një investim i fuqishëm intelektual në shkencat e ndryshëm nga disa kishtar, të cilët po kërkonin fillimisht argumentin e besimit të tyre, do t’i çoj në drejtim krejt tjetër. Duke e kërkuar konsolidimin e shkencës dhe fesë, ata kishin gjetur shkencën dhe kishin humbur fenë. Pas një investimi të gjatë, kjo i shtyu shumicën prej tyre të zhveshin rrobat kishtare për të ndërmarr një karierë universitare.
Sa i përket angazhimit shoqëror, gjithëmon në të njejtin qëllim, duhet t’ju jap një shembull, ndër qindra tjerë, se si kisha e pësonte edhe në këtë aspekt kur konfrontohej me lëvizjet shoqërore moderne. Kështu një grup kishtarësh, në Francë, të shtyrë (përkrahur) nga kisha, kishin vendosur për t’a integruar një grup marksitësh gjatë vitëve 60′ me qëllim që ti rikthejn në “rrugën e Zotit”. Mirëpo, në vend se marxistët të rikonvertoheshin në katolicizëm, çuditërisht, ishin katolikët që kishin braktisur fenë dhe ishin rikonvertuar në marksizëm. Ky grup nuk u kthye kurrë më në bazën e tij. Shembujt janë të panumërta për të treguar se si kisha, duke tentuar ta përfshij shkencën dhe politikën për të favorizuar qëllimet e saja fetare, kishte pësuar dëme kolosale në radhët e saja. Aq ka pësuar sa që sot, në mungesë të priftërinjëve vendas, disa vende perendimore detyrohen të marrin priftërinjë nga vendet e botës së tretë (sidomos nga Afrika e zezë).
Ajo që është duke ndodhur në vendet shqiptare ka ngjasime të mëdha me këto ndodhi të njohura në vendet perendimore në një epokë tjetër. Kështu edhe në vendin tonë feja po tenton të përvetësoj shkencën dhe politikën. Por duke e futur në gjirin e saj, ajo realisht është duke e helmuar vetën. Është një përzierje shoqërore që ngjason me ato përzierjet kimike të pamatura, që të bëjnë “buuum” fytyrës. Kështu, vet këto instanca fetare po japin një kontribut të madh për sekularizimin e shoqërisë sonë sepse po e ofrojn fenë në një debat shoqëror të përgjithshëm. Dhe, kur feja krijon debat rreth saj, ajo kurrë nuk fiton. Sepse, feja është e ndërtuar mbi besimin dhe jo mbi argumentimin apo dëshminë e të vërtetës (relative apo të përkohshëme). Kurse, debati gjithëmon i shtynë besimtarët të ripyesin rreth besimit të tyre. Kjo bëhet akoma më e fortë kur feja e legjitimon shkencën me vet përdorimin e saj. Kështu, nuk është shkenca që pëson nga feja sepse atë nuk e konteston dot me ligjerata fetare, por është feja që duke e futur shkencën në ligjeratat e saja, dal nga dal, po konteston vetëvetën. Rasti i hoxhallarëve tanë është shumë domethënës, të cilët kërkojn legjitimitetin e tyre përmes “njohurive” shkencore, të cilat realisht nuk i mbërthejn dot, dhe jo përmes besimit në Zot dhe në fe. Kështu, nga goja e tyre po e mësojm përditë se Zoti dhe feja është duke ju nënshtruar shkencës dhe ideologjive moderne. Apo thënë më mirë feja po ju ofrohet testabilitetit shkencor. Këtë po e kuptojn shumë mirë edhe ata të cilët janë besimtar të vërtetë dhe që, dita ditës, po marrin distancat e tyre me këto lloj fjalime kakofonike. Besimtarët po e kuptojn, dita ditës, se fenë duhet t’a kuptojn nga vetja e tyre dhe t’a interpretojn pa presionin e një kleri të humbur në kohë dhe në hapësirë.
E gjithë kjo tregon se ajo që po ndodh është në suazat e normalës dhe se intelektualët dhe atdhetarët shqiptarë nuk kanë pse bëhen “tepër” merak nga fjalimet e hoxhallarëve. Sepse, ata po kontribojn më së miri në sekularizimin e shoqërisë sonë. Intelektualët dhe atdhetarët tanë duhet vetem që të kontribojn në këto debate në të cilin feja po i thërret vetë. Prandaj, duhet t’i themi faleminderit Irfan Salihu dhe shumë të tjerëve si ai që po i hapin dyert e kultit dhe po n’a thërrasin që të gjithëve të japim mendimin tonë rreth fesë dhe të bëmave të saj. Në këtë mënyrë, askush nuk ka pse ti akuzoj jofetarët për ndërhyrje në çështjet e kultit. Vetë n’a kanë dërguar ftesa ! Dhe me kënaqësi po i përgjigjemi rregullisht ftesave të tyre ! Prandaj : faleminderit !
1. Vendet Perendimore nuk quhen vetem vendet që ndodhën në Perendim, por vendet që në një far mënyre kanë një zhvillim perendimor. Kështu që edhe Australia që është shumë posht në Jug përfshihet në vendet Perendimore.