Sonte në emisionin “Puls” të KTV-së, mysafir ishte Sylë Hoxha, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren.
Hoxha në emision ka pranuar se gjatë një seance të gjykimit, familjarët e palës se dyshuar për vrasje kanë deklaruar se i ka dhënë prokurorit 100 mijë euro, por ka theksuar se nuk kanë mundur të vërtetojnë asgjë.
“Ne kemi punuar në këtë drejtim. E kemi ndjekur rastin dhe janë dënuar persona që merren me fajde, edhe pse nuk jemi të kënaqur me dënimet”, ka thënë Hoxha, ndërsa e pranon se ka njerëz që qarkullojnë e që merren me fajde dhe haraç.
Në lidhje me vrasjet për fajde në komunën e Prizrenit, që vetëm nga viti 2008 kanë ndodhur 12 sosh, Hoxha e pranon se ka probleme por thotë se nuk do të rrimë duarkryq për këtë dukuri të keqe.
Ai thotë se nuk ka informata se Policia e Prizrenit është e përfshirë në fajde “dhe nuk kam informata për arsyet e suspendimit të Nexhmi Krasniqit”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka pranuar se ka pasur raste të trafikimit më drogë nga Shqipëria dhe se këta kriminelë janë nga prokurorët e Prizrenit. Të njëjtit, sipas Hoxhës, nuk kanë qenë më të kapshëm për drejtësinë e Kosovës.
Në lidhje me dhomën luksoze në qendrën korrektuese të Prizrenit, Hoxha thotë se nuk ka qenë në dijeni për një gjë të tillë.
“Unë nuk kam qasje. Qasjen kanë Kryetari i Gjykatës dhe Ministria e Drejtësisë. Unë e kam marrë vesh nga “Koha Ditore”, ka theksuar Hoxha.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha ka folur edhe për “Grupin e Pojatës”.
“Dibran Hoxha i ka 84 raste në Prokurori, Donjeta Kosumi, e njohur si “Kallashi”, i ka 8 kallëzime në prokurori. Donjeta Kosumi edhe si e mitur ka pas një masë institucionale”, ka konfirmuar Hoxha.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.