Shqipe Pantina
Institucionet Mirkofinanciare që për qëllim kryesor kanë zbutjen e
varfërisë dhe zhvillimin ekonomik dhe social, në Kosovë janë kthyer në institucione legale fajdegjinjësh. Banka Qendrore e Kosovës dhe Shteti Juridik mbajnë syrin e mbyllur karshi tyre.
Në seancën e fundi Kuvendit u diskutua për raportin vjetor të Bankës Qendrorë të Kosovës për 2014. Sektori bankar duket të jetë sektori më fitimprurës në Kosovë. Bankat komerciale, si dhe kompanitë e sigurimeve, kishin realizuar fitime milionësh. Por një sektor i veçantë i industrisë financiare që ka lulëzuar pa luftës dhe që ka krijuar fitime marramendës është ai i institucioneve Mikrofinanciare.
Fajdegjinët e regjistruar si OJQ
Shumica e këtyre Institucioneve Mikrofinanciare që veprojnë në Kosovë janë të regjistruara si Organizata Jo Qeveritare, madje gëzojnë edhe statusin e benificionit publik. Prandaj për të analizuar dhe vlerësuar veprimtarinë dhe operimin e tyre duhet që të shikohet edhe Ligji për OJQ-të. Sipas Ligjit për OJQ-të qëllimi bazë/ thelbësor i OJQ-ve është përfitimi publik. Neni 16 I Ligjit për lirinë e asocimit dhe OJQ-ve i mundëson atyre “…të angazhohen në aktivitete ekonomike me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve të saja jofitimprurëse me pajtim me nenin 4 dhe me kusht që të ardhurat e realizuara nëpërmjet të aktiviteteve ekonomike të shfrytëzohen ekskluzivisht për të arritur qëllimet e theksuara në statutin e OJQ-së.
Si zbutet varfëria me kamata prej 23.3%
Sa I përket Institucioneve Mikrofinanciare, ato themelohen me
qëllimin e ofrimit të shërbimeve kryesisht atyre shtresave të
shoqërisë që kanë qasje të kufizuar apo nuk kanë fare qasje në bankat komerciale.
Në vitin 2006 themeluesi I Bankës Gramer dhe ai që njihet si pionier i mikrokredive dhe mikrofinancave Muhamet Jonuz bashkë me Bankën Gramer fitoi çmimin Nobel për paqe me motivacionin “për përpjekjet e tyre për të krijuar zhvillim ekonomik dhe social nga poshtë.
Përfshirja ne sektorin financiar e të gjitha shtresave te shoqërisë
zvogëlon nevojën e njerëzve për te adresuar nevojat e tyre financiare
ne tregjet informale te kredisë, ku kushtet e financimit janë te
pafavorshme, ilegale dhe përfundojnë gjithmonë me pasoja te renda. Pra ideja është që këto institucione të ju ndihmojnë bizneseve të vogla fillestare të cilat nuk kanë qasje në bankat komerciale, apo edhe familjeve të varfra që p.sh. duan të blejnë një lopë për qumësht. Po ashtu duke ju mundësuar qasjen në këto institucionet, zvogëlohet nevoja e njerëzve për të marrë para me fajde.
Por janë duke e luajtur këtë rol edhe Institucionet Mikrofinanciare
të Kosovës? A janë duke i ndihmuar ato në zhvillimin ekonomik dhe
social te vendit?
“Zbutësit e varfërisë” fitojnë 19.3 Milionë për një vit. BQK heshtë.
Raporti i Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2014 tregon se
Institucionet mikrofinaciare kanë realizuar të hyra 19.3 milion euro.
83.1 % e këtij fitimi është krijuar nga kamatat. Mesatarja e normave
të interesit të kredive shkonë në 23. 3 %, por ka raste kur norma e
interesit ka arritur deri në 36 %. Dhe këto norma jo vetëm që nuk
kanë shënuar rënie, nga viti 2013 por përkundrazi ato janë rritur.
Ndonëse përqindja e kredive me perfomancë të keqe është përmirësuar nga 5.2% sa ishte në vitin 2013 në 4.8% në 2014. Normat e interesit vetëm sa kanë pësuar rritje. Për sektorin e bujqësisë psh. mesatarja e normë së interesit shkon deri ne 25.5%.
E pra me norma të intersit 25%, me taksa administrative 1.5% a është kjo mënyra si luftohet varfëria dhe ndihmohet zhvillimi ekonomik dhe social? Cili është dallimi mes këtyre institucioneve dhe fajdegjinjëve?
Këto institucione kanë krijuar fitime marramendëse duke zhvatur pjesën më të varfër të shoqërisë. Paga për menaxheret dhe drejtorët kalojnë edhe 40 fishin e rrogës mesatare në Kosovë përderisa benificione për anëtarët e bordit që shkojnë deri në 10 mijë euro në muaj ( ndërsa në bazë të ligjit për OJQ anëtarët e bordit duhet të jenë vullnetarë dhe ata nuk paguhen). Natyrisht se rrogat e njëjta nuk janë edhe për unëtorët e këtyre institucioneve.
Këto institucione me kapitalin e krijuar në Kosove, duke zhvatur
qytetarët e varfër të Kosovës, kanë hapur degët e tyre edhe në rajon e deri në Dublin të Irlandës, formë kjo më e lehta për pastrimin e
parave.
Ato paraqesin formën më së miri të organizuar dhe të legalizuar të
krimit të organizuar. Dhe para gjithë këtij organizimi jo vetëm Banka Qendrore e Kosovës por i gjithë shteti ka qëndruar symbyllur.