Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti ka publikuar në Facebook një artikull të gazetës prestigjioze Wall Street Journal, në të cilën bëhet fjalë për përhapjen e valës së dytë të pandemisë me koronavirus në botë.
“Mos i vrisni gjyshërit tuaj duke u infektuar nga koronavirusi dhe duke e bartur atë tek ata. Vala e dytë e koronavirusit në Evropë ka prekur kryesisht personat e ri, të cilët kanë simptoma të lehta apo nuk kanë fare”, ka shkruar ai.
Hoti thotë se të dhënat e fundit tregojnë që infeksionet kanë filluar të prekin grup-moshat më të vjetra, duke u shpërndarë shpesh nga anëtarët më të ri tek ata më të vjetër të së njëjtës familje.
Ndryshe, Kosova në 24 orët e fundit ka regjistruar dy viktima dhe 186 raste me koronavirus, ndërkohë që gjendja e përgjithshme në rajon vazhdon të përkeqësohet me rritje të konsiderueshme të rasteve dhe viktimave të reja në Maqedoninë Veriore, Serbi dhe Shqipëri.