Përveç dërgimit të mesazheve, tani do të keni mundësi të luani edhe lojëra me aplikacionin Facebook Messenger. Loja e parë në këtë platformë për mesazhe është “Doodle Draw”. Kjo lojë ka të bëjë me vizatimin e një objekti. Ju mund ta shkarkoni lojën në App Store ose Google Play.
“Doodle Draw” është loja e parë për platformën Messenger. Kompania vendosi që të kthejë shërbimin e saj të mesazheve, Messenger-in, në një platformë e cila lejon integrimin me aplikacionet e palëve të treta. Kjo platformë u jep mundësi zhvilluesve të integrojnë aplikacionet e tyre në Facebook Messenger. Rrjeti social fillimisht ishte i interesuar vetëm për mjete të ndryshme shprehëse, si imazhet GIF për shembull, por tani ka vendosur që të eksplorojë edhe në fushën e lojës.
Aplikacionet rivale për mesazhe, si WeChat, Line dhe Viber, ofrojnë lojëra tek shërbimet e tyre. Lojërat kanë shërbyer si një burim tjetër të ardhurash për këto aplikacione, si dhe për të mbajtur njerëzit sa më shumë të angazhuar tek aplikacioni, edhe kur nuk duan të komunikojnë me dikë tjetër.
Me siguri që lojërat do ta bëjnë edhe më argëtues Messenger-in. Shpresojmë që Facebook mos të përfshijë ftesat për të luajtur, pasi kjo mund t’i acarojë përdoruesit.